Kaosi pushton sheshin Skënderbej, Rama nis prishjen e trotuareve
Ditën e djeshme ka vijuar edhe faza e dytë e punimeve, më sheshin Skënderbej. Ato tashmë janë shtrirë në disa drejtime kryesore duke rrethuar qendrën e Tiranës. Kështu faza e parë e punimeve ka nisur menjëherë pas deklarimit të dy ditëve më parë të kreut të bashkisë Edi Rama i cili mesa duket përpara Teatrit të Operas ka urdhëruar prishjen e një pjesë të
madhe të trotuarit ku kalojnë kalimtarët. Kjo pjesë para Pallatit të Kulturës dhe lulishtja mbrapa monumentit Skënderbej i është nënshtruar punimeve të cilat që në ditën e parë duket se kanë sjellë vështirësi në kalimin e qytetareve, por edhe të automjeteve duke krijuar herë pas here edhe kaos në trafik. Në një vëzhgim të kryer nga gazeta SOT Duket sikur vetë kryetari i Bashkisë së kryeqytetit ku ka vënë fadromat trotuareve dhe ka lënë në mes të varganit të makinave qytetarët. Të pyetur ditën e djeshme për këtë fakt banorë të ndryshëm kanë deklaruar se është kaos i madh fakti që punimet po kryhen në fillim në trotuare. Sipas tyre kjo përbën edhe rrezik për ta nga automjetet e ndryshme që kalojnë më shpejtësi përgjatë qendrës. Në lidhje me këtë fakt ditën e djeshme Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, u ka dhënë prioritet kalimit dhe lëvizjes së lirë të kalimtarëve gjë e cila duket, sikur nuk është një pikë e fortë e kryetarit të Bashkisë. Përveç kësaj Ministri Olldashi është shprehur në lidhje me debatit se ky debat është një debat teknik. Olldashi, gjatë çeljes për herë të parë të masterave për menaxhimin e transportit dhe planifikimin e sigurisë rrugore ka theksuar edhe faktin se mungesa e specialistëve të kësaj fushe deri tani ka çuar dhe në debatin për sheshin. Problemi i transportit në momentet që sheshi "Skënderbej" në Tiranë, i është nënshtruar punimeve, duhet të zgjidhet patjetër, dhe këtu duhet ndërhyrja e specialistëve. Kështu u shpreh ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ditën e djeshme gjatë çeljes së kursit më të ri të masterave në universitetin politeknik, që do të përgatisë specialistë të rinj, në menaxhimin e trafikut urban. Një nga çështjet themelore më të debatuara mes nesh dhe bashkisë, është se si do të zgjidhet transporti. Mëse 200 mijë mjete që ekzistojnë sot në Tiranë, të cilët janë detyruar në mënyrë të paevitueshme të kalojnë një ose dy herë në ditë në sheshin Skënderbej tha Ministri Olldashi mes të tjerash. Sipas tij nuk është më një debat politik është një debat thellësisht teknik, ku fjalën e parë duhet ta kenë njerëzit që janë të specializuar në këtë fushë. Dhe rasti i Tiranës është sot por jam i sigurtë që nesër të njëjtat probleme do ti kemi në Durrës, do i kemi në Shkodër, në qendra të mëdha urbane të vendit", tha Sokol Olldashi, ministër i Transporteve. Ministri i Transporteve u shpreh gjithashtu se përgatitja e specialisteve të rinj, do të ndihmojë në projektimin e ideve të reja, për trafikun e qendrave urbane, një problem ky ndër vite, pasi edhe infrastruktura rrugore është drejt ndryshimit të saj. Ndërkohë këta specialistë që do të ndjekin këtë master të ri, do të jenë të nevojshëm dhe në radhët e administratës. Rreth dy ditë më parë ka nisur zbatimi i fazës së dytë të punimeve në sheshin Skënderbej. Kreu i Bashkisë së Tiranës, së bashku me ekspertë të urbanistikës, ka prezantuar për të gjithë banorët kryeqytetas ecurinë e punimeve të mëtejshme në sheshin më të përfolur kohët e fundit, territorin identifikues të gjithë shqiptarëve. Konkretisht, sipas kreut të bashkisë, Edi Rama, deklarohet zyrtarisht e hapur faza e dytë e punimeve në sheshin Skënderbej. Këto punime do të shtrihen përreth sheshit, përpara Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, Bankës së Shqipërisë dhe në lulishten pas monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Drejtues dhe ekspertë të Bashkisë së Tiranës kanë prezantuar fazën e dytë të punimeve, e cila ka të bëjë me kufizimin ose devijimin e trafikut në disa zona të sheshit, për të mundësuar normalitetin e këtyre punimeve.
Trafiku thika me dy presa
Kjo fazë e re punimesh do të kufizojë trafikun përreth qendrës të Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar, në fillim të Rrugës së Kavajës dhe para Bankës së Shqipërisë. Kufizimi i qarkullimit në qendër do të bëhet në pjesë të veçanta, për të mos krijuar kolaps. Tashmë qarkullimi i automjeteve do të orientohet në Unazën e Vogël pjesërisht, në rrugën pas muzeut, duke vazhduar pas Bankës së Shqipërisë, duke u lidhur nëpërmjet urës së re, mes pallateve të Shallvareve dhe pallateve Agimi, me dy senset e Unazës.
Rruga Dëshmorët e 4 shkurtit do të bëhet me dy kalime. Ndërkohë bllokimi i një pjese të sheshit, përpara Pallatit të Kulturës, do ta devijojë trafikun pas tij dhe do të ndryshojë kahun e qarkullimit të automjeteve edhe në rrugën Qemal Stafa, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku automjetet do të lëvizin vetëm në drejtim të Unazës drejt rrugës Bardhyl.
Parkimet
Punimet do të bëjnë që të hiqen parkimet në rrugën Mine Peza, përpara selisë së PS-së dhe rrugën Dëshmorët e 4 shkurtit.Gjatë punimeve pranë monumentit të Skënderbeut është nxjerrë dhe pllaka e fundit e monumentit të Stalinit, që ishte vendosur aty para se të ngrihej monumenti i Heroit Kombëtar. Kryetari i Bashkisë, Rama, i ka konsideruar mjaft të vështira dhe të rëndësishme punimet në infrastrukturën nëntokësore, ndaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve. Do të fillojmë të menaxhojmë në mënyrë të ndryshme trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun. Dua të vë theksin te nevoja e bashkëpunimit me qytetarët, nevoja e pjesëmarrjes së të gjithëve nëpërmjet durimit dhe këmbënguljes që është i nevojshëm në këtë fazë, tha kryebashkiaku Edi Rama. Ndër të tjera, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit, pjesëmarrjes e mirëkuptimit të të gjithë qytetarëve, në realizimin dhe mbarëvajtjen e punës për këtë projekt, Rama iu drejtua banorëve të Tiranës me këtë mesazh: Sot u njohët me prezantimin e detajuar të fazës tjetër të punës, e cila tashmë përbën një sfidë të përbashkët edhe me qytetarët, pasi do të fillojmë të menaxhojmë në një mënyrë të ndryshme trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun.
Arta AGOLLI