Kapelo: Bekam mund të jetë në 2010-n
Trajneri i kombëtares angleze, Fabio Kapelo, ka treguar për gazetën "Marca" disa nga detajet e muajve të parë të punës së tij në stolin e "Tre luanëve". Ai ka bërë të qartë se beson ende te Devid Bekam dhe se ky i fundit mund të jetë pjesë e skuadrës që do të marrë pjesë në Botërorin 2010, nëse është në një formë të mirë fizike. "Ai luajti mirë në ndeshjen e fundit kundër Francës dhe unë e kam ndjekur atë disa herë, duke luajtur me LA Galaksi. Pjesëmarrja e tij në Botërorin 2010 do të varet shumë nga forma që po kalon, pasi ka futbollistë që në moshën 33-34-vjeçare arrijnë të administrojnë mjaft mirë forcat e tyre", u shpreh Kapelo. Anglia nuk merr pjesë në EURO 2008 dhe për këtë arsye, trajneri italian mendon se Franca, Italia dhe Spanja janë tri kandidatet kryesore për të fituar këtë turne. "Unë mendoj se fitorja në Kampionatin Evropian do të vendoset mes Francës, Italisë dhe Spanjës. Spanjollët kanë si gjithmonë një skuadër shumë të mirë, por duhet të kujtojmë se ajo është gjendur në një situatë të tillë edhe kur kishte në radhët e saj lojtarë si Butrgenjo e Mishel, por nuk arriti të fitojë një turne të rëndësishëm. Gjashtë lojtarët më të mirë të botës për momentin janë Mesi, Kristiano Ronaldo, Kaka, Pato, Fabregas dhe Runi. Liga e Kampioneve? Mançester Junajtid është skuadra më e kompletuar për të fituar këtë trofe, pasi Barcelona vuan ende pasojat e humbjes së titullit në edicionin e kaluar. Për sa i përket Ronaldinjos, mendoj se Milani nuk ka nevojë për të, pasi i duhen lojtarë të ndryshëm", deklaroi Kapelo. Ai ka treguar se mënyra e tij e drejtimit të skuadrës ka ndryshuar në raport me të kaluarën. "Unë jam mësuar të punoj çdo ditë me klubet dhe tani është gjithçka ndryshe. Deri tani kam pasur mundësinë të stërvitem vetëm 5 ditë me skuadrën. Por më duhet edhe pak më shumë kohë për t‘u integruar plotësisht. Tani lexoj më shumë, udhëtoj më shumë dhe ndjek më shumë futboll. Pak kohë më parë ndoqa tri ndeshje brenda javës, Totenhemin, Liverpulin dhe Mançesterin", ka shpjeguar trajneri i Anglisë.