Java 29, një derbi dhe dy përballje me aromë Evrope
Ndeshjet e javës së 29-të të Kategorisë Superiore do të jenë përcaktuese për mbylljen e këtij sezoni, pasi ofrojnë përballje vendimtare në luftën për titull, atë për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës dhe në Kupën UEFA. Supersfida e kësaj jave është pa dyshim derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Tiranës, dy skuadra që kanë objektiva krejtësisht të ndryshëm në këtë edicion. Të kuqtë janë ende në garë për titullin kampion dhe shpresojnë në një fitore për të vazhduar ndjekjen ndaj Dinamos kryesuese. Nga ana tjetër, bardheblutë presin finalen e Kupës, por kanë bërë të ditur se do të luftojnë për një renditje sa më të mirë në fundin e këtij sezoni, duke synuar që të renditen të tretët, apo edhe t‘i afrohen sa më shumë dy skuadrave që mbajnë vendet e para. Vetë Dinamo kryesuese do të presë në fushën e saj Elbasanin, një ekip që ka vënë në vështirësi çdo skuadër kryeqytetase në këtë edicion. Trajneri Daja ka pasur mundësi të lërë pushim disa prej titullarëve në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në mesjavë, por disfata e radhës me Vllazninë ka ulur ndjeshëm moralin e ekipit që nuk po shfaqet ashtu si në fillimin e sezonit dhe ka harruar të shënojë. Ndërsa Elbasani, pas eliminimit nga Kupa, nuk ka çfarë të humbasë më dhe vetëm një renditjeje mes tri skuadrave më të mira në kampionat do t‘i garantojë pjesëmarrjen në Evropë. Për këtë arsye, takimi që do të luhet në "Selman Stërmasi" do të ketë po aq rëndësi sa derbi kryeqytetas. Edhe Vllaznia me Besën do të luajnë një "përballje evropiane" në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin "Loro Boriçi" të qytetit të Shkodrës. Ndonëse kuqeblutë kanë siguruar finalen e Kupës së Shqipërisë, duan që të "vulosin" pjesëmarrjen në Evropë duke iu afruar sa më shumë vendit të tretë, për të pasur një garanci që do të jenë në arenën ndërkombëtare edhe në edicionin e ardhshëm. Besëlidhja-Shkumbini dhe Teuta-Flamurtari janë dy ndeshje të skuadrave që luftojnë për mbijetesë, përballë ekipeve që kërkojnë të konsolidojnë vendin e tyre në mesin e tabelës. I vetmi i parashikueshëm është ai i Kastriotit përballë Skënderbeut të rënë nga kategoria.