Mjeku i Fredi Ljunberg shëron Migen Memellin
Mjeku personal i Fredi Ljunberg shëron sulmuesin Migen Memelli. Doktori, i cili kujdeset për shëndetin e yllit të kombëtares suedeze dhe të Uest Hemit, është treguar i gatshëm që të ndihmojë edhe lojtarin shqiptar. 28-vjeçari, që mbron ngjyrat e Gais në Ligën e Parë (Allsvenskan) suedeze vuante nga një problem me muskujt e barkut, që e kishte lënë jashtë fushës së lojës për afro një muaj e gjysmë. "Kam qenë i dëmtuar, por tashmë jam kthyer në stërvitje", konfirmoi Memelli nga Suedia për "Shqip". "Kam pasur probleme me muskujt e barkut, megjithatë dëmtimin mund ta quaj të kaluar. Kam punuar me specialistin më të mirë në Suedi: dy herë në javë kisha takime dhe merrja ushtrime të cilat do të më ndihmonin të rikuperohesha. Ai është edhe mjeku personal i Fredi Ljunberg dhe mund të them se më ka ndihmuar shumë". Këtë fundjavë, Gais luan në fushën e Halmstad dhe Memelli pritet të jetë i grumbulluar, por aktivizimi është në dyshim për shkak të formës jo të mirë fizike.