E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo: Jabulani, topi më i keq i bërë ndonjëherë

TIRANE-Jabulani është topi më i keq që kam parë në jetën time. Një deklaratë e tillë ka ardhur jo nga ndonjë njeri dosido, por nga Fabio Kapelo, që nuk ka përdorur aspak diplomaci për të kritikuar prodhimin e kompanisë Adidas për Botërorin e Afrikës së Jugut. Trajneri i Anglisë ishte i pari që pësoi efektet e këtij topi, pas gafës që bëri portieri Robert Grin në ndeshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Kapelos, "topi është i tmerrshëm si për futbollistët, ashtu edhe për portierët, pasi askush nuk mund ta ndjekë trajektoren e tij". "Ok kur luan me pasime të shkurtra, - analizon trajneri italian, - por kur tenton një top të gjatë bëhet e vështirë për të kuptuar trajektoren". Për Kapelon, që sot në ndeshjen me Algjerinë do të festojë 64 vjetorin, problemi më i madh i Jabulanit është se "në disa situata ky top thjesht është i pamundur të kontrollohet". "është e pamundur, është e vështirë madje të godasësh edhe në portë, gjë që është e dukshme. E përsëris, nuk kam parë kurrë top më të keq", tha Kapelo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›