E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika | 17.06.2010

Gjatë një takimi me homologun e tij shqiptar Ilir Meta të enjten në Berlin, ministri i punëve të jashtme Guido Westerwelle ka nënvizuar shqetësimin e BE-së për shkak të bllokadës njëvjeçare të parlamentit shqiptar, bëhet e ditur në një deklaratë për shtyp e nxjerrë nga ministria e jashtme gjermane. Qeverisë dhe opozitës i bëhet thirrje që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje të qendrueshme. Për perspektivën evropiane dhe vazhdimin e procesit të reformave është e domosdoshme që parlamentit të Shqipërisë t'i rikthehet veprueshmëria politike, citohet të ketë thënë zëvendëskancelari gjerman.

Meta nga ana e tij ka nënvizuar interesimin e madh të Shqiërisë për investime gjermane në Shqipëri, por edhe përmes Shqipërisë në rajon. Po ashtu ai është shprehur për një bashkëpunim më të ngushtë me Gjermaninë në fushën e drejtësisë dhe të rendit.

Ministri Westerwelle ka theksuar se angazhimi i sipërmarrësve gjermanë në Shqipëri do të varet para së gjithash nga siguria juridike dhe besimi tek qendrueshmëria politike në vend. Ministri i jashtëm i Gjermanisë sheh sidomos në sektorin e energjisë shanse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjermane që të investojnë në Shqipëri.

Në shërbim të përmirësimit të marrëdhënieve bilaterale në fushën e ekonomisë dhe tregtisë në Berlin u nënshkrua të enjten edhe një marrëveshje dypalëshe në fushën e qarkullimit detar, që garanton juridikisht trajtimin e barabartë të anijeve gjermane në portet shqiptare. Marrëveshja jep kështu një kontribut të rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë së jashtme, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane.

Ministri shqiptar i punëve të jashtme Ilir Meta ishte takuar më parë edhe me sekretaren e shtetit të ministrisë gjermane për bashkëpunim dhe teknik, Gudrun Kopp, si edhe me deputetë të parlamentit gjerman.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›