Meksika “shokon” Francën “Gjelat” pranë lamtumirës
AFRIKE E JUGUT- Franca thuajse i ka dhënë lamtumirën Kupës së Botës, pas disfatës 2-0 ndaj Meksikës, në takimin e dytë të grupit A. “Gjelat” e Rajmond Domenek kanë zhgënjyer totalisht dhe tani mund të quhen skuadra e parë që ikën nga Botërori. Përballë Meksikës, francezët mund të shpresonin në të paktën një barazim, duke qenë se në takimin e fundit ndeshen me Afrikën e Jugut, megjithatë skuadra e drejtuar nga Havier Agirre ka fituar bindshëm. Nuk kishte shumë dyshime se Franca do të ishte një nga zhgënjimet e këtij Botërori, duke parë edhe mënyrën si ajo erdhi këtu, pas golit me dorë të Henri. Por, ashtu si në vitin 2002, skuadra e Domenek nuk ka shënuar asnjë gol në dy takimet e para, një paraqitje më shumë se zhgënjyese duke parë përbërjen e saj. Në takimin me Meksikën “Gjelat” u dukën superiorë për pjesën më të madhe të kohës, por përpara portës gjuajtjet kanë qenë sërish zero. Trajneri Domenek largoi nga formacioni Joan Gurkuf për të futur në vend të tij Florent Maluda, por as ky ndryshim nuk duket se ndikoi për mirë. Pavarësisht volumit të lojës, Franca nuk ishte asnjëherë e rrezikshme përballë portierit meksikan. Momenti kyç i takimit ishte e 64-t, kur Hernandez, i menduar në pozicion jashtë loje, doli përballë portierit Loris dhe shënoi. Francezët u shokuan dhe në fushën e lojës Meksika ka bërë ligjin. 12 minuta para përfundimit skuadra e Agirre mori një penallti, pas një ndërhyrje të gabuar nga Abidal. Veterani Blanko nuk fali duke vulosur shifrat e këtij takimi. Meksika tashmë e sheh veten me një këmbë në turin tjetër, pasi do t’i mjaftojë një barazim me Uruguajn nëb ndeshjen e fundit, ndërkohë që Franca mund të quhet e eliminuar, pasi asaj i duhet një fitore shumë e thellë ndaj Afrikës së Jugut për të shpresuar.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s