Kapelo drejt Berlinit, pa gjashtë titullarë
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, nuk do të ketë shërbimet e gjashtë lojtarëve të formacionit për miqësoren e nesërme kundër Gjermanisë në Berlin, pasi mesfushorët Frenk Lampard dhe Stivën Xherrard u larguan dje nga skuadra. Uejn Runi dhe Rio Ferdinand të Mançester Junajtedit nuk u grumbulluan në përfaqësuese, pasi nuk luajtën as për klubin e tyre në ndeshjen e së shtunës në Premier Ligë, kurse Xho dhe Eshli Kol të Çelsit dhe Emil Heski i Uiganit janë të dëmtuar. I vetmi lajm i mirë për Kapelon ishte se kapiteni Xhon Terri do të jetë në formacion, pasi dëmtimi i tij në këmbë nuk krijon asnjë problem për të. Mesfushori i Fulhamit, Xhimi Bullard, dhe ai i Uest Hemit, Skot Parker, janë thirrur nga Kapelo në vend të Lampardit, të dëmtuar në brinjë, si dhe Xherrardit, i cili ka dëmtuar një muskul të kofshës në ndeshjen e së shtunës kundër Boltonit. "Stivën Xherrard dhe Frenk Lampard ishin bashkë me grupin e lojtarëve të tjerë të shtunën, por stafi i mjekëve të përfaqësueses konstatoi se Xherrardi dhe Lampardi janë të dëmtuar, - thoshte deklarata e Federatës Angleze të Futbollit dje. - Të dy u kthyen të hënën pranë klubeve të tyre për trajtim të mëtejshëm." Këto mungesa ngrenë pa dyshim disa pikëpyetje, në lidhje me faktin se a janë të përshtatshme këto ndeshje miqësore në mesin e një programi aq të ngjeshur që kanë klubet elitare të Anglisë. Vetëm katër lojtarë të katër klubeve, që kryesojnë Premier Ligën angleze, do të luajnë për Anglinë nesër. Megjithatë, mesfushori i Mançester Junajtedit, Majkëll Kerrik, ka thënë se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. "Do të luaj për Anglinë në një ndeshje që e kam ëndërruar, - tha lojtari i vetëm në përfaqësuese për kampionët e Anglisë. - Gjermani Angli është një ndeshje e madhe dhe unë kam ëndërruar gjithnjë që të luaj në një përplasje të tillë. Jam këtu dhe kam shumë dëshirë të luaj. Çështja e të luajturit për klubin dhe për kombëtaren është një polemikë, në të cilën ne si lojtarë nuk duam të përfshihemi. Ne të gjithë duam të jemi pjesë e përfaqësueses angleze. Ndeshja kundër Gjermanisë është një përballje e madhe dhe secili dëshiron të luajë." Anglia vjen në këtë miqësore pas katër fitoresh radhazi në kualifikimet për Botërorin 2010, që do të luhet në Afrikë të Jugut. Në ndeshjet e fundit mes tyre, Anglia ka fituar në Mynih me rezultatin 5 1 në vitin 2001, kurse Gjermania ka fituar në Uembli me rezultatin 2 1 në vitin 2007.