Kapelo, “luani” i katërt i Anglisë
Dash Frashëri
Është magjepsur nga mitiku “Uembli” në takimin e parë si trajner i “Tre luanëve”. Kampioni i madh italian ndihet fitimtar. Si një luan. Gjithsesi, trajneri u vlerësua për atë që tregoi, por jo me votë të plotë nga media e ashpër britanike. Debutimi i Kapelos me fitoren e Anglisë kundër Zvicrës 2-1 nuk i entuziazmoi britanikët. Teknikut italian iu njoh koha e paktë që pati në dispozicion për të përgatitur ndeshjen, por ndaj tij pati disa kritika në lidhje me zgjidhjet taktike dhe modulin e kujdesshëm për një ndeshje miqësore dhe për më tepër për formacionin e hedhur në fushë. “Times” flet për një paraqitje të zakonshme, ndërsa “Daily Mirror” për një fitore jobindëse.
Gjithsesi, ndeshja e parë e tij në krye të “Tre luanëve” ishte një debutim premtues se gjërat me Kapelon do të jenë më të mira se me paraardhësin e fundit të tij, Stiv Meklaren. Fabio Kapelo flet për “Raisport”: “Të debutosh në një stadium si ai i ‘Uemblit’, është pak të thuash jam ndier i emocionuar. Ka akoma shumë për të bërë. Jam i bindur se me dozën e duhur të profesionalizmit dhe dedikimin, Anglia do të kthehet në nivele të larta”.
Për t’u bërë e madhe, skuadra britanike duhet të kalojë një rrugë jo të vogël. “Pas fitores me Zvicrën, tani objektivi ynë është të fshijmë nga koka e lojtarëve eliminimin nga Europiani që akoma rëndon në nivelin psikologjik. Ky ambient ka nevojë për rregulla, disiplinë, për t’u kthyer dhe që të jemi të mëdhenj. Gjëja që më ka befasuar është fakti se shumë persona aprovuan zgjedhjet e mia edhe pse ishin mësuar me zakone dhe ritme të tjera përpara arritjes sime”, - thotë ish-trajneri i Realit të Madridit.
Tani kombëtarja angleze duhet të mendojë të përmirësohet në planin e lojës dhe më pas të arrijë në finalet e Botërorit të vitit 2010, që do të diskutohet në Afrikën e Jugut.
“Koha për të punuar nuk mungon”, - jep konkluzionet e tij Kapelo.
“Do të luajmë dhe shumë miqësore të tjera deri në fillimin e kualifikueseve të Botërorit të ardhshëm dhe këto teste do të na ndihmojnë për të krijuar forcë dhe bindje në kapacitetet tona”.
Premier liga, futboll global
Kampionati i futbollit më i pasur në botë vendosi që të luajë të paktën 10 ndeshje jashtë Britanisë në fundjavat e muajit janar të çdo viti duke filluar nga sezoni 2010-2011.
Propozimi u aprovua nga Liga Angleze e Futbollit dhe nga 20 drejtuesit më të lartë të 20 klubeve. Një sezon i rregullt do të shtohet dhe pesë qytete jashtë Anglisë do të marrin përsipër organizimin e dy ndeshjeve. Kjo lëvizje në dukje e planit futbollistik erdhi si kërkesë e rritjes së marketingut të të drejtave televizive. Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Kina janë vendet më të mundshme ku do të luhen këto ndeshje.
Shumica e klubeve të Premier Ligës çdo vit kryejnë ture në Azi dhe në Shtetet e Bashkuara dhe janë familjarizuar me futbollin dhe yjet e kampionatit anglez. Rasti më i fundit i një ndeshjeje finale të luajtur jashtë vendit ishte ai i Superkupës së Italisë të luajtur në Uashington dhe Nju Jork.
Disa prej klubeve më të famshme angleze janë në kontrollin e të huajve. Katër janë të kontrolluar nga pronarë amerikanë: Mançester Junaitid (Malcolm Glazer), Liverpul (Tom Hicks dhe George Gillett Jr.), Aston Villa (Randy Lerner) dhe Derbi (Andy Appleby). Pesë të tjera janë kontrolluar nga : Çelsi (Rusia), Portsmouth (Rusia), Mançester Siti (Tailandë), Fulham (Egjipt) dhe Uest Hem (Islandë).
Kalderon karikon lojtarët me slogane naziste
Frymëzim me moto naziste. Presidenti i Realit të Madridit, Ramon Kalderon, karikon lojtarët e tij me një nga sloganet më të njohura hitleriane. Gjithçka ndodhi kur kreu i “shtëpisë së bardhë” të futbollit bëri një deklaratë në dhomën e zhveshjes së ekipit në “Santiago Bernabeu”. “Nëse do të luftojmë mund të humbasim, por nëse nuk e bëjmë atë jemi të humbur”. Sipas medias spanjolle, kjo thënie në fakt i përket Hans Ulrich Rudel, pilotit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazisti ishte dekoruar shumë herë nga Adolf Hitleri, pasi kishte kryer mbi 2000 fluturime ajrore kundër sovjetikëve. Skandali u bë shumë shpejt publik nga “Sport”, një gazetë katalanase shumë e afërt me Barcelonën, armiken e përjetshme të Realit të Madridit.
Gjobitet ish-trajneri i Ajaksit
Ish-lojtari i kombëtares holandeze dhe ish-trajneri i Ajaksit, Deni Blind, u gjobit pasi drejtoi makinën në gjendje të dehur dhe shkaktoi një aksident nën influencën e alkoolit. Lajmi u bë i ditur nga policia holandeze. Blind plagosi seriozisht një shofer tjetër kur ai e goditi makinën e tij pranë stadiumit “Amsterdam Arena” në dhjetor të vitit 2006. Ai kërkoi falje për dehjen dhe drejtimin e makinës në atë gjendje dhe pas incidentit patenta e tij u bllokua për nëntë muaj. Blind, i cili luajti 42 ndeshje për “portokallinjtë”, tashmë është drejtor teknik i Spartës së Roterdamit.
Romario largohet nga Vasko de Gama
Sulmuesi veteran brazilian Romario u largua si lojtar-trajner i Vasko De Gamës pas një debati me presidentin e klubit Euriko Miranda. “Gjithçka mbaroi për mua dhe Vaskon”, - tha heroi i Kupës së Botës 1994 përpara se skuadra e tij të fitonte 2-0 në kupë me Friburguense. Romario nuk pranoi këmbënguljen e presidentit Miranda për të aktivizuar sulmuesin Alan Kardek në vend të të riut Abuda. Miranda tha se ishte i pakënaqur nga vendimi i Romarios, por konfirmoi se ai kishte urdhëruar atë per të luajtur Kardek.
Kaka: “Dua të pushoj”
Milani do të luajë të dielën e ardhshme kundër Sienës pa shërbimet edhe të Kakasë, përveç atyre të Patos. Fantazisti brazilian ndien dhembje në gjurin e majtë. “Prej kohësh kam probleme dhe as nuk po arrij të stërvitem dhe të luaj mirë. Vendosa të bëj pushim. Shpresoj të kthehem sa më shpejt, por çdo gjë varet se si do të shkojnë kurat”.
Kaka foli edhe për “Pekin 2008”, ku është përjashtuar nga trajneri Dunga së bashku me mbrojtësin e Romës Huan dhe fantazistin e Realit të Madridit, Robinjo. “Mua do të më pëlqente, por këtë do ta vendosi Federata Braziliane e Futbollit dhe Milani. Gjatë kësaj kohe, mund të stërvitem për paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve”.
8 Shkurt 2008