Kapen 152 kg marihuanë nga trafikantët shqiptarë dhe serbë

Një sasi prej 152 kg drogë nga Shqipëria është sekuestruar nga polica maqedonase në bashkëpunim me atë serbe. Droga e llojit marihuanë është kapur duke ardhur nga Shqipëria me destinacion Serbinë dhe Europën perëndimore, raporton Ministria e Brendshme në Shkup, transmeton Shekulli online.
Të prangosuri janë shtetasit shqiptarë Feim Strataj 34 vjeç, Albert Lamaj 31 vjeç, shtetasi maqedonas Abdulla Ramadani 58 vjeç, ndërkohë që shtetasi serb Dragan Puhovaç, 42 vjeç është shpallur në kërkim, raporton Koha.
Shqiptarët kanë hyrë me një makinë tip Benc Mercedes me targa shqiptare në Qafë Thanë dhe kanë negociuar me maqedonasin për shitjen e sasisë së drogës. Më pas, 58-vjeçari Ramadani ka marrë pakot me drogë dhe është nisur në drejtim të Shkupit me një furgon tip Benc Mercedes, i shoqëruar nga dy shqiptarët por është ndaluar nga policia në rrugën midis Strugës dhe Ohrit, ku iu gjetën 47 pako me substancën narkotike. Maqedonasi deklaroi se do të fitonte 1.000 euro për çdo kilogram droge të transportuar në drejtim të Serbisë.
Sipas policisë 2 shqiptarët, maqedonasi dhe serbi kishin krijuar një organizatë kriminale./Indeksonline/