Rama: Në 2013 sigurt do jem në Parlament

“Të gatshëm të zgjerojmë koalicion me të djathtë dhe takimin me Metën do e ribëja sërish”. Kështu deklaroi kreu i PS-së Edi Rama në një intervistë televizive për ABC news.
Shefi i opozitës nënvizoi se në koalicion janë të mirëpritura të gjitha ato forca politike, të majta, të qendrës apo edhe të djathtat, të cilat pranojnë programin politik të Partisë Socialiste. Sa i takon mundësisë për një aleancë politike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Rama tha se nëse LSI vendos ta braktisë koalicionin aktual me Partinë Demokratike, do të vlerësohet mundësia për të bashkëpunuar.
"Por, për sa kohë partia e Ilir Metës, është pjesë e koalicionit, për PS-në nuk ka asnjë shqetësim dhe LSI do konsiderohet si kundërshtar për ta mundur", tha Rama.
Kryesocialisti Rama është shprehur i bindur se do të jetë në parlament pas zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm. Duke folur për këtë temë kreu i selisë rozë deklaroi se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të tilla që vullneti i popullit të mos deformohet.
“Dua të besoj që zgjedhjet do jenë në standarde të pranueshme evropiane, pa pasur nevojë t’i organizojë PS, por duke qenë të tilla vitin e ardhshëm, dhe sigurisht që demokracia në Shqipëri është gjithnjë e më shumë një eufomizëm”- deklaroi ai, i cili shtoi se zgjedhjet nuk janë mjaftueshmërisht të lira e të ndershme për sa kohë nuk kemi institucione që t’i garantojnë ato.
“Zgjedhjet e 2013 nuk janë të Edi Ramës, po për të bërë një përcaktim të rëndësishëm për atë që shqipëria do të jetë për dekadën e ardhshme. Nuk lidhet se do zgjidhet mes PS e PD, por për rrugën ku duhet të krijojmë rrugën për rilindjen. Dua të shpresoj dhe kam besim që do ia dalim që zgjedhjet e ardhshme do i kemi të tilla, që të mos deformohen”, theksoi Rama.
Përsa u takon zgjedhjeve të 2009 kreu i PS tha zgjedhjet nuk i ka vjedhur ligji, por KQZ ka shkelur ligjin dhe duke e bërë këtë ka garantuar vjedhjen e zgjedhjeve. Për kryesocilaistin PD në 2005 erdhi në qeveri në rrugë legjitime, por nuk e pati votën popullore, "pasi ndarja e votës së të majtës solli PD në qeveri. 2009 tregoi se PD nuk vjen në qeveri pa vjedhur votën".
“Ajo që unë besoj se gjithë kjo gjendje shumë e rëndë ekonomike e sociale, e shtetit të së drejtës, lidhet me faktin se nuk kemi një qeveri që buron nga vota”- theksoi Rama, i cili u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.
Në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 Rama ka sfiduar kryeministrin Berisha në një debat të hapur televiziv. Ndërkohë teksa ka theksuar se programi i PS-së është instrument qeverisës, opozita do të vijë në pushtet ndërkohë që ai do jetë kryeministër./Indeksonline/