E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 76 kg “ngarkesë e ndaluar”, po dërgohej me mushkë drejt Greqisë

Policia e Gjirokastrës ndalon Selami Shehun për trafik Canabisi. Lënda narkotike po transportohej me kafshë në një terren të thyer malor
GJIROKASTËR – Shtohen rastet e trafikimit të drogës midis Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe kësaj radhe ka dështuar tentativa për të kaluar një ngarkesë me Canabis sativa drejt shtetit fqinjë. Burimet zyrtare në policinë e qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se është organizuar një operacion i koduar me emrin “Ngarkesë e ndaluar”, ku është bllokuar një ngarkesë prej 76 kg lëndë narkotike të llojit Canabis sativa, si dhe është ndaluar shtetasi Selami Shehu nga Libohova. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, tha se lënda narkotike e bllokuar kishte si destinacion Greqinë. Falë informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Luftës kundër Krimit të Organizuar të Komisariatit të Gjirokastrës kanë bërë të mundur ndalimin në flagrancë të 27-vjeçarit Shehu, i cili po transportonte mallin e ndaluar duke përdorur për transport kalin e tij.
Operacioni
Në afërsi të vendit të quajtur “ish-Perimorja”, rreth 100 metra mbi Liqenin e Dofties, në fshatin Bulo të Libohovës, 27-vjeçari Selami Shehu u ndalua në flagrancë duke transportuar me një kalë një sasi prej 76 kg lëndë narkotike të llojit Canabis sattiva. Lënda narkotike ishte e paketuar në pako 1 kg, në formë cilindrike, - tha Mullai. Policia lokale po punon për të evidentuar dhe ndaluar edhe persona të tjerë të implikuar në këtë trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa shtetasi Selami Shehu ndodhet në mjediset e paraburgimit të Komisariatit të Gjirokastrës dhe akuzohet për “trafik lëndësh narkotike”.
Linja e trafikut
Policia e Gjirokastrës ndaloi katër ditë më parë pesë persona, të cilët dyshohet të jenë organizatorë të trafikimit në Greqi të 25 kg lëndëve narkotike të llojit Canabis sativa. Lënda e ndaluar u gjet në gomën rezervë të kamionit tip ‘Skania’, me targë FR 9789 B. Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit, 38-vjeçarin Dhimo Koraj, si dhe 30-vjeçarin Aristotel Selfo, lindur në Gjirokastër dhe emigrant në Greqi, i cili udhëtonte me automjetin ku u gjet droga. Dy të tjerë u ndaluan më vonë. Çështja në ngarkim të tyre i ka kaluar para tri ditësh për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjatë vitit 2008 nga të dhënat del se janë goditur pesë grupe kriminale. Sasia më e madhe e drogës është kapur në Kakavijë më 31 janar, kur u zbulua një sasi prej 1200 kg Canabis që po transportohej me një kamion mallrash.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›