E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpol Tirana ekstradon dy shtetas të shumëkërkuar

Ditën e djeshme, pas mesditës, Zyra Qendrore e Interpol Tiranës ekstradoi nga Roma dy shqiptarë që kërkoheshin nga Drejtësia shqiptare. Dhimitrov Kërri, 44 vjeç, lindur e banues në Vlorë dhe Qamil Elezi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Peqin, u morën nga policët shqiptarë. Ekstradimi i shtetasit Kërri është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me Vendimin nr. 185 datë 12.10.1999, ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale të “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278 të Kodit Penal. Sipas vendimit të gjykatës, Dhimitrov Kërri në datën 12.08.1999, në fshatin Mifol, Vlorë, ka vrarë tre vëllezërit Gërdhuqi dhe konkretisht: Stefan, Gjikë dhe Kastriot Gërdhuqin. Ndërkohë që ndaj shtetasit Qamil Elezi Gjykata e Apelit Vlorë, me Vendimin nr. 69 datë 09.02.2007, ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale të “trafikimit të femrave për prostitucion në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 141/b të Kodit Penal. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasi Elezi, në vitin 2002, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar drejt Italisë shtetasen I. SH., duke e detyruar atë me anë të presionit të punojë si prostitutë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, Itali, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i dy shtetasve dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në Aeroportin e Rinasit këta shtetas iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›