E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë që përfitojnë nga fondet e punësimit gjatë 2008-s

Qytetet e përjashtuara nga skema e përfitimit të këtyre fondeve.
Jonida Tashi

Fondet për programet e nxitjes së punësimit këtë vit nuk do të ndahen më sipas praktikës proporcionale, por me ndarje rajonale. Zyrat rajonale dhe vendore, që nuk kanë asnjë mundësi ndërmjetësimi për punësim, do të jenë të parat që do të përfitojnë nga ky fond. Nëndrejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP), Spiro Kuro, ka sqaruar se në zbatim të strategjisë së punësimit dhe formimit profesional dhe buxhetit të shtetit për tregun e punës, të gjitha në funksion të luftës kundër papunësisë dhe të balancimit të nivelit social, është menduar që për vitin 2008 fondet për programet e nxitjes së punësimit të përdoren me efektivitet atje ku plaga e papunësisë dhe mundësia për vende të reja pune është shumë e kufizuar për të mos thënë zero. Për këtë, ai ka pohuar: “U është dërguar shkresë nga Drejtoria e Përgjithshme të gjitha drejtorive rajonale dhe vendore për mundësitë dhe kërkesat që kanë për të thithur fonde nga programet e nxitjes së punësimit”. Pas marrjes së përgjigjeve brenda muajit janar janë mbledhur dhe përpunuar të dhënat që kanë ardhur nga të gjitha rrethet. Lidhur me mënyrën e ndarjes së fondeve për nxitjen e punësimit, nëndrejtori i SHKP-së shprehet: “Është menduar që të mos bëhet ndarje proporcionale sipas praktikave të mëparshme, por ndarje rajonale atje ku me të vërtetë zyrat rajonale dhe vendore nuk kanë asnjë mundësi ndërmjetësimi për të punësuar qoftë edhe një numër shumë minimal qytetarësh dhe klientësh të këtyre zyrave punësimi për arsye të mungesës së bizneseve.
Qendrat urbane
Në qendrat e mëdha urbane, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre shumë subjekte prodhimi si dhe aktivitete të tjera, vëmendja dhe i gjithë fokusimi i punës së SHKP-së dhe i drejtorive rajonale do të jetë ridimensionimi i punës së sektorëve të shërbimeve. “Për këtë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit do të jetë në aktivitet të plotë në terren, në partneritet me subjektet jo vetëm për të realizuar detyrat dhe planin e vendosur nga Ministria e Punës, por edhe për ta tejkaluar atë, sepse atje shohim rezervat kryesore që mund të rrisim treguesit e punës sonë”, - ka sqaruar Spiro Kuro. Gjithashtu, ai bëri të ditur se janë planifikuar fonde për vazhdimin e programeve 3-vjeçare, të cilat aktualisht janë në vitin e dytë të implementimit të tyre.
Rrethet pa projekte
Megjithëse kanë një përqindje të lartë papunësie, disa rrethe në vend nuk do të përfitojnë këtë vit nga fondet e miratuara nga qeveria për nxitjen e punësimit. Një nga këto rrethe të përjashtuara nga këto fonde është Kukësi, i cili, edhe pse ka një përqindje të lartë papunësie, është hequr nga planifikimi. Spiro Kuro ka sqaruar se kjo është bërë për arsye se përmbarimi ka bllokuar zërin “Nxitje punësimi” pranë degës së thesarit të këtij rrethi dhe SHPK është në procedura gjyqësore për këtë çështje. Por ai ka bërë të ditur se është menduar që ky rajon të përfitojë programe nxitjeje punësimi me rialokimin e fondeve që do të bëhen në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Gjithashtu, ka rrethe, si për shembull Kuçova, Tepelena etj., që kanë përqindje të lartë papunësie, por këto rrethe nuk kanë përfituar nga fondi për nxitjen e punësimit, pasi në to nuk ka subjekte që mund të përfitojnë nga këto programe. Për këtë arsye, SHKP-ja e ka parë të arsyeshme që për vitin 2008 t’i propozojë strukturave të Ministrisë së Punës për aktivizimin ose përpilimin e një VKM-je për punët publike.
Subjektet
Megjithëse fondi për subjektet që do të aplikojnë në programet për nxitjen e punësimit është përcaktuar afërsisht 100 milionë lekë, Spiro Kuro ka sqaruar se SHKP-ja do t’i përmbahet treguesve të monitorueshëm për vitin 2008 dërguar nga ministri i Punës me arsyetimin se është viti i parë i implementimit të tyre. Sipas tij, nga informacionet që kanë ardhur nga rrethet, si dhe nga eksperienca e viteve të kaluara, është vënë re një lloj hezitimi nga subjektet për pjesëmarrje në këto programe sepse nga mënyra se si janë konceptuar, formuluar, sipas kritereve të vendosura nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore pranë Ministrisë së Ekonomisë, si dhe detyrimet taksative që u lindin këtyre subjekteve pas aplikimit, pothuajse frenohet në mënyrë të plotë abuzimi me këto fonde. Kështu, për herë të parë për subjektet aplikuese në këto dy vendime masa e subvencionimit nuk e kalon 70 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe 50 për qind për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa detyrimi taksativ nga 20 për qind e të formuarve që duhet të mbanin në punë, shkon në 50 për qind të tyre.

Ndarja e fondeve

60 milionë lekë do të jetë fondi për programin e nxitjes së punësimit, VKM 632, datë 18.09.2003, “Për programet e nxitjes së punësimit, të punëkërkuesve të papunë, femra”, faza e dytë e implementimit të tyre të mbartura nga viti 2007

40 milionë lekë do të jetë fondi për studentët e sapodiplomuar që do të marrin pjesë në programin e praktikave profesionale. Ky fond është ndarë sipas kërkesave të rretheve me një avancë të vogël për rrethet që kanë universitete në juridiksionin e tyre

100 milionë lekë do të jetë fondi për dy vendimet e reja të Këshillit të Ministrave, Nr. 47,48, datë 16.01.2008, për subjektet që do të aplikojnë në këto programe.

Masa dhe kriteret e përfitimit të punëdhënësit nga programi i punësimit
Punëdhënësi, që punëson me kontratë, me kohëzgjatje njëvjeçare, punëkërkues të papunë në vështirësi, mund të përfitojë:
Një financim për një vit, në masën 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme shoqërore të pjesës së punëdhënësit,
Një financim për katër muaj, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, duke filluar nga muaji і nëntë, për të gjithë vitin e zbatimit të kontratës,
Deri në 50 për qind të numrit mesatar të të siguruarve të 3 muajve të fundit përpara aplikimit,
Skema të fillojë të zbatohet në vitin 2008 dhe kohëzgjatja e saj të jetë 5 vjet.

Punëkërkues të papunë në vështirësi
Të papunët afatgjatë
Personat që përfitojnë ndihmë ekonomike
Personat që përfitojnë pagesë papunësie
Personat që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, të moshës 18-25 vjeç
Personat mbi 45 vjeç, që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi і mesëm ose ekuivalent të tij
Personat me aftësi të kufizuar
Personat nga komuniteti rom.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›