Karabina, dekoratë për nënoficerin italian
Nënoficeri i Delegacionit Italian të Ekspertëve, Cesare Balzi, specialist i rikonstruksioneve për infrastrukturën, u dekorua dje nga drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes. Të pranishëm në ceremoni ishin zëvendësministri Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral-lejtënant Luan Hoxha, kryetari i Delegacionit Italian të Ekspertëve, gjeneral Piccotti, si dhe oficerë të Shtabit të Përgjithshëm e përfaqësues të tjerë të DIE-s. Me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri, gjeneral Hoxha shprehu vlerësimet dhe konsideratat për punën dhe kontributin e z.Balzi si dhe i akordoi atij medaljen “Për shërbime të veçanta”. Ai theksoi se gjatë tre viteve të shërbimit, ai ka treguar gatishmërinë dhe profesionalizmin e, mbi të gjitha, ka shfaqur vlerat e tij morale dhe humane. Kjo medalje është modeste në krahasim me kontributin dhe punën e bërë në bashkëpunim me oficerët e Forcave të Armatosura shqiptare, tha gjeneral Hoxha dhe shprehu në një mënyrë falënderim për vetë z. Balzi dhe DIE-n. Me pas, gjeneral Piccotti falënderoi gjeneral Hoxhën dhe z. Karabina për praninë dhe respektin e treguar për përfaqësuesin e DIE-s, i cili u nderua me medalje dhe shtoi se është e vërtetë që gjeneral Hoxha i bëri një vlerësim që Balzi e meritonte.
7 Mars 2008