E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë mes grupeve rivale në mes të qytetit, tre në pranga

ELBASAN – Një luftë e vërtetë ka shpërthyer në Elbasan saqë qyteti për disa minuta i ka ngjarë një “Far West-i” të vërtetë. Dy grupe rivale janë konfliktuar me njëri-tjetrin, por falë ndërhyrjes së forcave të rendit është bërë e mundur të shmanget gjakderdhja. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se paraditen e djeshme ndodhi një përplasje mes grupeve rivale në qendër të qytetit ndërsa forcat e policisë shkuan në zonën e konfliktit pas marrjes së një telefonate anonime. Burimet policore bëjnë të ditur se menjëherë është bërë ndërhyrja dhe janë ndaluar tre persona. Gjithçka ka nisur kur anëtarët e dy grupeve kanë filluar të konfrontohen me anëtarët e një grupi të tretë. Sipas hetimeve të para mendohet se shkak i përplasjes ka qenë larja e hesapeve mes grupeve. Tre personat e ndaluar janë dërguar menjëherë në Komisariatin e Elbasanit, ndërsa më shumë se pesë persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia për prishje të qetësisë publike.

Grindet me të dashurën, vetëplagoset 23-vjeçari

DURRËS – Një konflikt me të dashurën e ka çuar më pas një të ri në rrugën drejt vetëvrasjes, por ka shpëtuar, fatmirësisht, duke marrë vetëm një plagë të rëndë në trup. Burimet zyrtare në policinë e Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, pasi shtetasi Granit Zeqa, 23 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Lagjen Nr.14 Durrës, është vetëplagosur me pistoletë tip “Zastava”. Mësohet se 23-vjeçari Zeqa është vetëplagosur me armë zjarri pas një grindjeje me të dashurën e tij. Forcat e policisë, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje, kanë konstatuar se i riu ishte vetëplagosur me një pistoletë të cilën e mbante pa leje. Policia e Durrësit ka ndaluar 23-vjeçarin, banor i këtij qyteti. Po ashtu është bllokuar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, ndërsa 23-vjeçari është ndaluar nën akuzën “armëmbajtje pa leje”.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›