Kapen dy grabitësit e materialeve të ndërtimit

Foto ilustruese
TEPELENE- Arrestohen dy grabitës mjaft të rrezikshëm që operonin në njësitë tregtare të materialeve të ndërtimit në Tepelenë. Ervis Dalani, 27 vjeç dhe Drini Divintari, 20 vjeç të dy nga Tepelena, janë prangosur në orët e mbrëmjes së të martës në një prej lokaleve të qytetit, teksa po pinin kafe.
Policia ka prangosur dy të rinjtë të njohur si hajdutët më të rrezikshëm jo vetëm në Tepelenë, por edhe jashtë saj pasi janë autorë të një sërë grabitjesh spektakolare.
Afro 20 ditë më parë, dy të rinjtë, kanë kryer grabitjen e një sasie të madhe materialesh metalike kryesisht kabllo elektrikë, pompa uji, elektromotorrë, gjeneratorë, në ish magazinat që ndodhen në vendin e quajtur Ura e Bënçës Tepelenë. E gjithë sasia e vjedhur, ishte tërhequr nga magazina qëndrore e pajisjeve industriale pronë e një biznesmeni te zones se Tepelenes me inicialet A.H.
Dy protagonistët e grabitjeve, jo vetëm që janë autorë të grabitjeve të materialeve të ndërtimit, por dyshohen se kanë grabitur tre herë radhazi rrjetin elektrik të ndricimit rrugor në qytetin e Tepelenës. Shitja e lëndëve të grabitura në disa pika grumbullimi të hekurishteve në qytetin e Tepelenës nga ana e të rinjve, i ka diktuar duke vënë në lëvizje uniformat blu të Tepelenës të cilët arritën që në bazë të dëshmive nga vetë pranuesit e mallrave të vjedhura, të identifikonin keqbërësit.
Policia ka kryer të gjitha veprimet ligjore për dokumentimin me prova të autorëve që kanë shitur materialet e vjedhura për skrap. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokatrës për veprime të mëtejshme dhe mbi Divintarin dhe Dalanin, rëndon vepra penale e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.
Piro Nase