Kapen dy minorenët dhunues të varreve të fshatit Shën Gjergj
Identifikohen autorët e dhunimit të varrezave të fshatit Shën Gjergj të Korçës. Mësohet se pas disa ditë hetimesh, policia lokale ka arritur të kapë dhunuesit, që rezultojnë të jenë dy të mitur: përkatësisht 10 dhe 12 vjeç. Policia, e cila ka nisur hetimet menjëherë pas denoncimit të rastit për dëmtime masive të varrezave të këtij fshati, ka zbuluar autorësinë që në fakt kanë qenë dy fëmijë nga një tjetër fshat. Burimet e policisë thanë se bëhet fjalë për 12-vjeçarin me inicialet A.H dhe 10-vjeçarin O.H, nga fshati Bregas i Korçës. Të miturit janë marrë në pyetje nga policia dhe kanë pretenduar se ishin duke luajtur në varreza dhe kanë thyer aksidentalisht disa pllaka varresh. Për shkak të moshës së mitur, të dy autorët janë lënë në gjendje të lirë, por policia dyshon se fëmijët janë sjellë në fshatin Shën Gjergj nga persona të rritur për të kryer heqjen e pllakave dhe të objekteve dekorative për qëllime fitimi. Sipas burimeve të policisë, dy fëmijët janë zbuluar nga një objekt që e kishin lënë në një dyqan të fshatit të tyre për shitje, ndërkohë që në vend janë gjetur edhe gjurmët e dy autorëve minorenë. Policia ka ngritur menjëherë dyshimet se bëhet fjalë për autorë në moshë të mitur, që sulmojnë varrezat publike, ndërkohë që autorësia është konfirmuar me zbulimin e dy fëmijëve. Sipas policisë dy minorenët vijnë nga familje të varfra dhe mendohet se ata e kanë kryer këtë veprim për qëllime fitimi dhe për të nxjerrë para nga shitja e objekteve dekorative dhe pllakave të mermerit. Fëmijët kanë pranuar autorësinë, por edhe pse policia ka pasur dyshime se ata janë nxitur nga persona në moshë të rritur, kjo nuk është pranuar nga ata gjatë deklaratave të marra. Dhunimi i varrezave në fshatin Shën Gjergj u denoncua për policinë lokale nga banorë të zonës pas dëmtimeve në 25 varreve, ngjarje e cila sipas policisë mendohet se ka ndodhur në datën 20 gusht të këtij viti. Dy minorenët po ndiqen në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre, ndërsa deklaruan se kanë shitur një pjesë të objekteve për të siguruar bukën e gojës. Ndaj tyre rëndon akuza për dhunim të varrezave publike dhe mësohet se policia po heton edhe për persona të tjerë që mund të kenë shtyrë fëmijët të kryejnë këtë akt.