E Diel, 1 Nëntor 2026

61-vjeçari ka qëlluar me thikë ish-dhëndrin, pas rimartesës së tij

Vjen me pushime nga emigracioni, por nuk i shpëton përgjegjësisë ligjore për një vrasje të mbetur në tentativë gjashtë vjet më parë. Kështu ka ndodhur me 61-vjeçarin Mitro Shqevi nga fshati Shën Vasil i Sarandës, i cili ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2003. Burime nga Komisariati i Policisë në Sarandë bëjnë të ditur se paraditen e së shtunës, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se Shqevi ishte kthyer me pushime, është bërë kapja e tij. 61-vjeçari i martuar me kombësi greke dhe shtetësi shqiptare u kap në banesën e tij në fshatin Shën Vasil. Prej pak ditësh ai kishte ardhur nga Greqia, ku kishte shkuar menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më 10 qershor të vitit 2003. 61-vjeçari është dënuar në mungesë nga Gjykata e Sarandës me dhjetë vjet heqje lirie për veprën penale të "vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë", e parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal. Sipas burimeve, mësohet se më 4 qershor 2003, ai ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin Sopot Gjoni, i cili ishte ndarë me vajzën e Shqevit dhe ishte martuar me një shtetase tjetër. Tri ditë pas dasmës së dytë, Mitro Shqevi, gjatë kohës që ish-dhëndëri Sopot Gjoni ndodhej në makinë, e ka goditur me thikë në gjoks, këmbë e duke i prerë dorën e majtë. Siç rezulton edhe nga vendimi gjyqësor përfundimtar i datës 24 mars 2004, i pandehuri ka pasur për qëllim vrasjen e viktimës dhe ka përdorur thikën e këpucarit, profesion që Shqevi e ushtronte prej vitesh në fshat. Pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, Shqevi kishte marrë çiften dhe ka kanosur me të, në pyllin e fshatit Vangjel Gjoni, të atin e ish-dhëndrit, duke konsumuar aktin e kanosjes për vrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›