Kapen dy veta për vjedhje serike
Policia e Ferizajt ka prangosur dy persona nga komuna e Kaçanikut, nën dyshimin për përfshirje në disa vjedhje serike.
Arrestimi i XH.B. 27-vjeç dhe F.B. 26-vjeç ka ndodhur të premten në mëngjes. Këta persona kishin shkuar në Komogllavë të Ferizajt, për ta plaçkitur një lokal të lojërave të fatit, mirëpo ishin ndaluar dhe bllokuar nga roja e lokalit.
Në vend ngjarje menjëherë kanë dalë njësitet e policisë, të cilët kanë arrestuar të dyshuarit në fjalë.
Zëdhënësi rajonal i policisë, Agim Gashi, ka thënë se policia me këtë rast ka konfiskuar edhe automjetin e të dyshuarve, me te cilin ata kishin ardhur për ta kryer veprën.
“Gjatë intervistimit, të dyshuarit e kanë pranuar se qëllimi i tyre ishte që të vjedhin në lokalin e lojërave të fatit. Ndërsa në bashkëpunim me njësitin e hetimeve të Kaçanikut, është zbuluar se të dyshuarit kishin kryer edhe një seri vjedhjesh të tjera në Kaçanik dhe rrethinë, dhe të njëjtit ishin në kërkim. Vjedhjet ishin kryer kryesisht nëpër bastore sportive dhe shtëpi të pabanuara”, ka thënë Gashi, transmeton KosovaPress.
Lidhur me rastin janë gjetur edhe provat materiale si televizorë, kompjuterë, DVD, etj., të cilat janë konfiskuar nga personat që paraprakisht i kishin blerë këto gjësende nga të dyshuarit.
Policia ka thënë se provat materiale janë konfiskuar dhe do t’u kthehen pronarëve të ligjshëm. Pas konsultimit me Prokurorinë Komunale në Ferizaj, dy të dyshuarit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes deri në kompletimin e lëndës.