E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen rrëmbyesit e emigrantit

Tre persona morën me forcë në automjet një emigrant dhe i grabitën nën kërcënimin e armëve 500 euro në Rrogozhinë


Të arrestuarit dyshohen të kenë kryer një seri grabitjesh me armë në Kavajë, Rrogozhinë dhe në zonën e plazhit

KAVAJË- Arrestohen nga Policia e Kavajës, tre persona, të dyshuar si autorë të disa grabitjeve të
ndodhura në plazhin e Golemit, gjatë muajit të fundit. Burime zyrtare nga Policia e Kavajës, pohuan dje se janë arrestuarm, Alban Gosa, 22 vjeç, Klajdi Hasani, 25 vjeç, i dënuar më parë për "tentativë vrasje" si dhe Armand Mustafa, 23 vjeç, të tre banues në Rrogozhinë, të cilët janë të dyshuar si autorë të disa grabitjeve të kryera me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve.

Tre të rinjtë që kanë përfunduar në prangat e policisë, janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në banesat e tyre. Burimet nga Policia thanë dje se ka dokumentuar me prova dhe fakte disa krime të realizuara nga ky grup, ndër to, vjedhjen përgjatë sezoni veror të një lokali në Golem si dhe grabitjen me armë të një emigranti, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia. Më 21 korrik të këtij viti, tre të rinjtë dyshohet se kanë vjedhur një lokal në komunën Gosë të Kavajës, ndërsa më datë 22 gusht po të këtij viti, në vendin e quajtur "Bishti i Zhurit" në Rrogozhinë, dyshohet se kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një emigrant, i cili po kthehej nga Greqia me linjën e autobusit Selanik Tiranë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kavajës, mësohet se në momentet që emigranti ka zbritur nga autobusi, tre të arrestuarit e kanë marrë me forcë në automjetin e tyre dhe më pas i kanë marrë me dhunë disa sende personale dhe shumën prej 500 eurosh. Ndërkohë nga hetimet e kryera deri tani ndaj tre peronave, dyshohet se këta të fundit kanë kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera, kryesisht banesa, të ndodhura në plazhin e Golemit.

Pas informacioneve të mbledhura për aktivitetin e tre të rinjve, strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës po punojnë për dokumentimin e ngjarjeve të tjera që dyshohet të kenë për autorë treshen e arrestuar dje në orët e para të mëngjesit. Gjatë operacionit policor për arrestimin e të dyshuarve për vjedhje, iu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe disa sende të vjedhura si: dy automjete, pesë telefona celularë, dy aparate fotografikë dhe një kamerë dixhitale. Ndërkohë, në ngarkim të tyre do t'i kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Kavajë, për veprat penale të "vjedhjes" dhe "vjedhjes me armë" në bashkëpunim.
Dyshohet se treshja e arrestuar funksiononte si një grup i organizuar dhe i kryenin bashkë vjedhjet, kryesisht në zonën e plazhit, ndërsa janë mbajtur nën vëzhgim për më shumë se një muaj derisa në fund janë dokumentuar disa vjedhje që dyshohet të kenë për autor personat e arrestuar.

"Tre personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri -tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, në Kavajë dhe përreth saj, kanë ushtruar aktivitet kriminal në drejtim të vjedhjes së lokaleve të tregtisë, banesave, vjedhje këto të realizuar me armë dhe në bashkëpunim"- u shprehën dje burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit në lidhje me tre të arrestuarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›