Shqipëria dërgon 6 zjarrfikëse në Athinë
I gjithë rajoni në ndihmë të Greqisë, ku më shumë se 60 njerëz kanë humbur jetën nga flakët në periferi të kryeqytetit
TIRANË - Pothuajse të gjitha vendet e rajonit i kanë ofruar ndihmë Greqisë dhe kanë shprehur solidaritet për ta ndihmuar atë përballë situatës së pazakontë që po kalon prej pesë ditësh kryeqyteti grek, Athina, i rrethuar nga flakët. Qeveria shqiptare tashmë ka zyrtarizuar ndihmën e saj për fqinjin jugor. Në faqen zyrtare të qeverisë është publikuar deklarata e qeverisë shqiptare dhe ndihma që i jep Greqisë për përballimin e zjarreve. Qeveria shqiptare nis drejt shtetit grek një kompani zjarrfikësesh të përbërë nga gjashtë automjete zjarrfikëse, si dhe dyzet forca të specializuara. Por, dhe vendet e tjera të rajonit kanë lënë mënjanë "inatet e vjetra" me Greqinë dhe i janë gjetur pranë në këtë situatë të vështirë.
Ministrja e Jashtme greke, Doras Bakojani, ka siguruar ndihmën e qeverisë turke pas një bisede telefonike me homologun e saj Davutoglu. Një avion turk është nisur drejt Athinës për t'iu bashkuar operacionit kundër shuarjes së zjarreve. Edhe Maqedonia ka lënë mënjanë problemet që e lidhin me fqinjin e saj për çështjen e emrit dhe iu bashkua solidaritetit rajonal. Maqedonia konfirmoi se do të vërë në dispozicion tre helikopterë të tipit M-17, me tre ekuipazhe dhe tre zjarrfikëse, të cilët menjëherë janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve në Greqi. Në terren, qindra zjarrfikëseve dhe avionëve grekë, prej dy ditësh u janë shtuar avionë zjarrfikës nga Italia, Franca, Spanja dhe Qiproja.