E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen trafikantet. Shkembim zjarri nje i plagosur

Gjashtë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas kapjes në flagrancë me 150 kg marijuanë, e destinuar për tregun e kryeqytetit. Gjatë operacionit policor “Eskorta” që u finalizua mbrëmë vonë, pranë Rinasit, ka pasur edhe shkëmbim zjarri, pasi ata nuk i janë bindur policisë për të ndaluar. Njëri prej të arrestuarve ka qëlluar në drejtim të patrullës së policisë, e cila më pas është kundërpërgjigjur, duke e lënë të plagosur. Tre nga të arrestuarit janë vëllezërit Altin, Arjan dhe Gëzim Saka, si dhe Olgert Musta, Muharrem Zalla dhe Klodian Lami. 

"Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, shtetasit e lartëpërmendur nuk janë bindur thirrjeve të policisë për të ndalur duke shkëmbyer zjarr në drejtim të forcave të policisë, ku këto të fundit me synim ndaljen e automjeteve kanë qëlluar në drejtim të gomave, duke plagosur kështu në pjesën e këmbës drejtuesin e njërit prej automjetit shtetasin Olgert Musta, i cili aktualisht po merr mjekim në spital. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Mitsubishi Pajero”, u gjendën e 19 thasë të mbushur me bimë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva, me peshë  150 kg", bëri të ditur zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Policia tha se nga hetimi disa mujor u arrit goditja në kohë e kësaj linje shpërndarje me shumicë dhe tregëtimi në Tiranë. Bima narkotike dyshohet se kultivohej në Rrethin e Krujës, për t’u shitur më pas në kryeqytet. Policia ka sekuestruar edhe tre automjetet me te cilat po transportohej marijuana, ndërsa po hetohet lidhur me persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

Jul Kasapi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›