E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapërcimi i murit gjerman

Ditar 2-5 korrik 1990 / Reportazh nga një dritare pranë mureve të ambasadave: Ata brenda ambasadës kanë nevojë për veshje, ujë, cigare... Për një shishe ujë japin 1000 lekë të vjetra, për tri paketa "Partizani", një orë elektronike


...Vijon nga dje
Mëngjesi i 5 korrikut (e enjte), gdhiu si gjithnjë, me rrugët të bllokuara e me policët në gatishmëri. Dy rrugicat që çojnë tek muret e Ambasadës Greke tani janë zënë jo me makina, por me dy kolona të mëdha betoni, rreth 60 cm të larta, që do t'i kenë marrë nga ndonjë ndërtesë e prishur.


Që të kalosh duhet ose t'i kapërcesh (disi e vështirë, sidomos po të jesh ngarkuar me trajsta), ose të prekësh muret e shtëpive anash.


Aty afër drekës, një gjë e çuditshme: pjesa e rrugicës Justin Godar nga Rruga Frederik Shiroka deri tek muri i Ambasadës Gjermane, "hapet" (d.m.th. largohen policët që deri tani s'lejonin të afrohej njeri).


Mbeten vetëm nja dy policë tek hyrja e Ambasadës Greke. Dy çuna të rinj, pasi flasin diçka me njërin polic, nisen drejt rrugicës së ngushtë që mbyllet nga muri i Ambasadës Gjermane dhe kalojnë përtej.


Polici s'bën as orvatjen më të vogël për t'i ndaluar. Pas tyre nisen dy-tre të tjerë, që sikur mbijnë nga dheu, pastaj të tjerë e të tjerë. Hipin tek muri i ulët i një oborri, pastaj vënë këmbën tek një çati furriku pulash, që aty tek muri gjerman e më pas hidhen poshtë e bien drejt e në Gjermani.
Krijohet, sa mbyll e hap sytë, turma e kureshtarëve që sa vjen e rritet.


Njerëzit që vijnë për të kaluar përtej, futen një herë mes turmës, shikojnë se si kalojnë të tjerët, sigurohen që me gjithë mend mund të kalohet, pastaj, si rastësisht, shkëputen nga turma dhe rruga të çon vetë në Gjermani. Ka edhe shumë çifte që i afrohen murit të kapur dorë për dore.


Dalin tek dera disa punonjës të ambasadës greke, shikojnë, qeshin. Në mes të turmës së kureshtarëve ka edhe dy-tre policë. Kuptohet, sot kanë marrë urdhra të tjera. Duket sikur s'janë ata që para një dite bëheshin si të çmendur kur ndokush i afrohej sadopak territorit të ndaluar, apo edhe kur vetëm hidhte sytë andej.


Mureve të ambasadës gjermane kacavirren përherë e më shumë njerëz. Ngjiten jo vetëm këtej, nga Rruga "Frederik Shiroka", po edhe nga dy pika të tjera, te rrugëzat Gjon Muzaka e Xhezmi Delli, ndërsa dera në rrugën Skënderbej është e mbyllur, por mund të hysh nëse je i zoti t'u kacavirresh kangjellave...


Në përgjithësi hyjnë të rinj, por ka edhe burra e gra që vijnë bashkë me fëmijët. Tok me të tjerët iku dhe ndihmës bojaxhiu që po lyente shtëpinë e fqinjës përballë apartamentit tonë, ndërsa vetë mjeshtri qëndroi dhe vazhdoi të lyente pa ndihmës.


Në krye të shkallëve të Ambasadës Gjermane dalin tre nëpunës. Njëri zbret dhe pas pak vjen përballë hyrjes së Ambasadës Greke, shikon prapa pallatit 4-katësh atë sheshin djerrë, plot barishte, të mbyllur nga tri anë, përballë murit të Ambasadës Greke. Duart i mban në xhepat e pantallonave mjaft të gjëra. I ndritin faqet dhe kravata e kuqe. Është i pakët e ngjan me një Hitler të ri.


Edhe flokët i mban si modeli i tij paraardhës, po ashtu mustaqet. Ngjitet mbi një si bregore të vogël përballë hyrjes së ambasadës greke, shikon sa shikon, pastaj largohet pa folur me njeri.


Dalloj Eva Pëllumbin që i afrohet murit, me vajzën për dore e me një qese të vogël në dorën tjetër.


Një 12-13 vjeçare nxiton. "Prit", i thërresin nga turma "ku shkon, je e vogël!". Por ajo s'ndalon, përgjigjet duke ecur: "Më thërret vëllai", - dhe tregon me dorë Ambasadën Gjermane.


Një grua e re tepër-tepër e shëndoshë vjen rrotull, bisedon me tre burra që e shoqërojnë, më në fund vendos: i afrohet murit, ata e ndihmojnë dhe ngjitet e hidhet matanë. Disa vijnë me biçikleta, i braktisin rrëzë pallatit tonë, pastaj çajnë përpara drejt murit gjerman.


Policët s'ndalojnë njeri, vetëm u flasin atyre që rrinë për të parë: "Ju lutem largohuni. Kush të dojë, mund të hyjë, këtu mos rrini, na pengoni..." S'arrij të kuptoj përse pengohet ky polic, por s'kam kë të pyes...


Drekën e hamë vonë. Nesër do të lyejmë shtëpinë. Pa u ngritur nga tryeza, troket dera. Hyjnë një polic e një civil. Polici, fytyrë e njohur, nga këta që ruajnë murin (mendojmë se duan ujë, shpesh na trokasin policët në këto ditë të nxehta). Ata na kërkojnë ndjesë për shqetësimin dhe i afrohen dritares.


Befas, civili i veshur me xhaketë, nxjerr një kamera të vogël që e mbante nën sqetull, brenda xhaketës dhe kërkon të filmojë ata që kalojnë murin. Kamera më duket e përsosur...


Shikohemi sy në sy me Gjergjin. Me siguri edhe ai mendon si unë, që këtë s'duhet ta lejojmë të bëhet nga shtëpia jonë. Por s'qe nevoja për asnjë reagim: pa kaluar një minutë, ata e kuptojnë që vendi s'ishte i përshtatshëm dhe se duhej një pikë më ballore. Kur dalin, marrim frymë të lehtësuar.


Sa bie nata rrugët e rrugicat bllokohen, patrullat e policëve s'lënë të kalojë as miza. Jo vetëm për të hyrë, por çuditërisht as për të dalë. Ne që duam të dalim nga zona, se do flemë tek Mamaja, meqë shtëpinë e kemi bërë gati për ta lyer, s'na lënë të dalim...


Kudo policët na thonë se atje ku ruajnë ata s'lejohet kalimi dhe na dërgojnë në pikat e tjera, por edhe atje ka policë të tjerë dhe përsëritet e njëjta gjë. Më në fund arrijmë tek unaza, përballë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, por sërish një patrullë. Na kërkojnë pasaportat, por nuk i shikojnë. Na pyesin vetëm nëse jemi nga Tirana dhe më në fund arrijmë të dalim nga rrethimi.


Kur kthehem në shtëpi (të premten në mëngjes) shikoj se ndryshe nga mëngjesi i kaluar, një pjesë e rrugicave kanë mbetur të bllokuara. Megjithatë, rruga "për në Gjermani" nuk është krejt e mbyllur. Njerëzit lejohen të hyjnë, por vetëm nga Rruga "Gjon Muzaka". Shikoj që kalojnë aty vargje njerëzish - burra, gra e fëmijë duken nga rrethet, me shumë, shumë trajsta...


Rruga e Kavajës është plot me policë e ushtarë. Në trotuare seç po hapin ca gropa. Ushtarët rrinë gatitu me lopata të vogla të xhenios në brez (thonë se këto i kanë për armë, që "armikun" të mos e vrasin, por vetëm ta pengojnë).


Është paradite jave, megjithatë në rrugë ka shumë njerëz, më shumë se në një pasdite të diel. Policët rrinë katër nga katër në çdo dhjetë metra. Ka edhe shumë civilë, me shirita të kuq krahut, të ashpër, të egërsuar, të frikësuar. Urbani s'ndalon më as te Kisha katolike, as te stabilimenti.


Në Rrugën e Kavajës dhe në Rrugën e Durrësit, 50 metra para dhe pas pikave të takimit me Rrugën Skënderbej ushtarët kanë gjelbëruar trotuaret, duke qëndruar ngjitur pas njëri-tjetrit, vende-vende edhe në dy rreshta. Nuk krijojnë gardh, po mur. Për të hyrë te ushqimorja në Rrugën e Durrësit, duhet të kalosh nëpër një rrugicë të blertë ushtarësh me lopata brezit.


Në zonën "e ndaluar", qetësi. Dy-tre policë, tre katër civilë.
Sot (është e shtunë), rreth e rrotull Ambasadës Gjermane fryn një erë alarmi. E përhapin vetë policët që s'lënë të lëvizin as banorët e lagjes.


Anës i janë shfaqur puçrat dhe e skuqura e fruthit, por mjeku nuk sillet dot deri te shtëpia jonë. Bëhem ndërmjetës, vizita bëhet me korrespondencë, për fat e kam kaluar këtë sëmundje kur isha 20 vjeç dhe mbaj mend disa gjëra...


Policët thonë se do hyjnë t'i nxjerrin "refugjatët" nga ambasada. Presim me ankth se ç'do të ndodhë. "Refugjatët" rrinë të qetë majë mureve (për të parë se ç'ndodh në Atdheun nga i cili mezi presin të largohen).


Ata u bënë të parët banorë të shtëpisë së posandërtuar të ambasadorit, brenda selisë së Ambasadës së Gjermanisë Perëndimore (u nis si e tillë dhe përfundoi si Ambasadë e Gjermanisë së ribashkuar). Nga sa thonë vetë "refugjatët", ata presin vetëm t'u bëhen gati pasaportat e të nisen për në Gjermani. Me siguri s'dinë gjë për ato që fliten jashtë mureve...


Ndërkaq ne nuk zëmë dot punë me dorë. Mbetemi dritareve duke pirë duhan. Thonë se "sulmi" mbi ambasadë do të bëhet kur të fillojë ndeshja Itali-Angli. Ndeshja fillon e mbaron dhe për fat nuk ndodh asgjë.


Nga ora një e natës dëgjohet një gurgule e madhe brenda mureve. Bërtasin: bjeri, mor zagarit!.. shtypja kokën!.. me tullë, mor me tullë!.. Në gurgule përzjehen përherë e më shumë zëra. Pastaj platiten. Mendojmë se do jetë zbuluar ndonjë "spiun".

S'ka gjumë as brenda, as jashtë mureve. Ndjehet frymëmarrja e një turme shumë të madhe.


Dëgjohen të kollitura (nata është e freskët), por mund ta kenë edhe nga duhani. Herë pas here edhe të qara fëmijësh. Thonë se ambasadat që kanë pritur "refugjatë" u kanë kërkuar shteteve të tyre ushqime dhe mbulesa për të fjetur, por shteti ynë s'i ka lejuar avionët të ulen.


Erdhi e diela. Ata nga brenda mureve thonë se do t'i nisin të hënën. Policët shtohen, po ashtu dhe ushtarët.


Kudo nëpër rrugë ka makina ushtarake. Që të vish në shtëpi, duhet t'i biesh rreth e rrotull nëpër diell, të kalosh nëpër disa postblloqe ku mund të të kontrollojnë edhe çantën, madje edhe sasinë e ushqimeve që çon në shtëpinë tënde (nga frika se mos shkojnë për ata brenda mureve të ambasadës).


Ndërkaq, këta kanë filluar të komunikojnë me të afërmit, kur mundin, nga tarraca e pallatit tonë (që është mjaft afër) dhe nga një pallat tjetër, shumë më larg.


S'arrij ta përfytyroj se si mund të merren vesh, por që nga muret dërgojnë të fala për gjysh e për gjyshe, kërkojnë që dikush të kujdeset për kanarinën...


Përsëri flitet se policët mund të sulmojnë. Ndërkaq, ata brenda ambasadës kanë nevojë për veshje, ujë, cigare... Për një shishe ujë japin 1000 lekë të vjetra (e tmerrshme, një të pestën ose një të gjashtën e një rroge mesatare!) për tri paketa "Partizani", një orë elektronike, për të sjellë e për të futur brenda mureve gruan dhe fëmijët që presin përtej, 40 000 lekë të vjetra.


Policët e ushtarët grinden me njëri-tjetrin për të zënë atë pjesë muri brenda një shtëpie private, ku mund të bëhen pazaret mes ruajtësve dhe të ruajturve, pa rënë në sy.


Më në fund, finalja e botërorit, Gjermani-Argjentinë. Britma e tifozllëk mijëra-zërash për skuadrën gjermane, si në stadium. Sa mbaron, shpërthejnë brohoritjet "Dojçland! Dojçland!". Pastaj "Liri-Demokraci!" Me sa kuptohet u ka hipur të dalin "për miting" në Rrugën Skënderbej. Policët vrapojnë të shqetësuar.


Dalëngadalë zërat pushojnë, por refugjatët nuk flenë. Disa rrinë deri vonë më këmbë, majë mureve të Ambasadës Gjermane dhe në murin që ndan këtë nga ambasada greke. Shumë të tjerë rrinë në ballkonin e shtëpisë së ambasadorit, në parvaz, me këmbët varur përjashta, apo ulur në parvazet e dritareve.


Duken si të lodhur, mbase nga pritja, mbase nga kushtet e vështira, por sidoqoftë, mbahen mjaft mirë. Kanë filluar edhe të lajnë veshjet, që i ndejnë për t'u tharë në parvazet e ballkonit dhe në disa tela mbi garazhin e Ambasadës Greke. Herë pas here mblidhen dhe dikush u flet shqip, por s'e kuptojmë për çfarë bëhet fjalë.


Dëgjohen qartë vetëm brohoritjet për demokracinë dhe kundër diktaturës. Nëpër Tiranë po qarkullojnë fjalë se "gjermani u ka bërë gjilpëra djemve tanë e ata janë shushatur", "janë bërë si qentë, hiqen zvarrë", "njerëzit e familjes u flasin, por ata veç i shikojnë në sy, si budallenj..." Kështu thoshte sot e sigurt edhe një plakë në autobus.


Në Kinostudio mësoj se rebeli i përhershëm, Ilir Demalia, që ka hyrë në Ambasadën Gjermane, i mbledh "vëllezërit shqiptarë" dhe i këshillon të sillen në mënyrë të qytetëruar, pasi tashmë ndodhen "në tokë të huaj".


Ne i shikojmë me respekt e dhembshuri, dhe me pak keqardhje se vendosën të largohen tani kur këtu gjërat po ndryshojnë. Megjithëse vetë këta refugjatë mbase janë pjesë e ndryshimit, ne as që na shkon mendja të hyjmë në ambasadë.


"S'kemi ç'bëjmë, çupë, edhe im atë, edhe yt atë, janë treguar budallenj" - bën shaka im shoq, duke nënkuptuar faktin se i ati, dëshmor, ish vrarë më 1944 nga pushtuesit nazistë, ndërsa im atë ishte konfliktuar po me ata për çështje të monedhës, si ekonomist kur ishte konsulent në Bankë.


E vërteta është se asnjërit nga ne nuk i vjen për mbarë të lërë pas çdo gjë që kemi këtu, të fillojmë një jetë të re... ndonëse do ta kishim aq të lehtë, deri në momentin e fundit dhe ndonëse ai ka studjuar në Gjermaninë Lindore dhe flet gjermanisht...


E enjte, vjen më në fund dhe nata e nisjes. Të gjithë kanë dalë në oborrin e pasëm të ambasadës dhe dikush lexon emrat. Listat janë 200-vetëshe. Fillojnë me Albana, Arben, Artan, mbarojnë me Ylli, Zamir, Zana. S'di se sa lista u lexuan, por kam përshtypjen se ishin më se 15 lista. Mes tyre dhe shumë mbiemra të njohur.


Njerëzit dalin nga hyrja kryesore dhe hipin në autobusët që i presin te Rruga Skënderbej. Tek Ambasada Greke vetëm një autobus, ku hipin nja 7-8 vetë. Me sa kuptohet, të tjerët kanë kaluar edhe një mur tjetër dhe që nga Greqia janë hedhur në Gjermani.


E premtja sjell qetësi dhe një ndjenjë zbrazësie. Pastruesit e rrugëve kanë mbledhur me qindra letra me porosi për familjarët, mbase dhe ndonjë kërkim ndjese nga dikush që u nis pa lajmëruar... se ashtu i erdhën punët, se s'pati mundësi të dërgojë fjalë.


Në shkallët e pallatit tonë ngjitet, duke u kapur pas parmakut një pesëvjeçar që thërret me sa mundet: Liri-Demokraci, Liri-Demokraci...
Del me vrap e ëma dhe e tërheq brenda.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›