Kapet babai monstër: E hodha fëmijën për t'i bërë presion gruas
UPDATE - "E flaka djalin nga ura për t'i bërë presion gruas. Ajo s'më linte ta shikoja". Kështu ka deklaruar në polici, babai që dje hodhi të birin vetëm dy vjeç nga ura e trenit në qytetin e Shkodrës.
Policia arriti ta arrestojë sot autorin Eduard Gjoka 32 vjeç, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga efektivat e Sektorit të Krimeve të Rënda. Ai u kap pas rrethimit policor, rreth 12 kilometra larg qytetit, pikërisht në vendin e quajtur Kodrat e Bardhajve.
"Kapja e 32-vjeçarit Gjoka u bë, në fshatin Bardhaj, Komuna Rrethina Shkodër, në banesën e një të afërmi të tij pas një operacioni, i cili zgjati rreth 16 orë dhe u drejtua nga vetë Drejtori i Policisë së Qarkut", thuhet ne njoftimin e policisë. Ai akuzohet për veprën penale "vrasje me dashje e mbetur në tentativë", sqarohet me tej.
Ngjarja shokuese ndodhi dje në mesditë në qytetin e Shkodrës. Policia njoftoi se shtetasi Eduard Gjoka nga ky qytet ka hedhur nga Ura e trenit djalin e tij të mitur me inicialet E.Gj. Deshmitarët okularë kanë njoftuar policinë e cila mbërriti shpejt në vendngjarje dhe transportoi femijen e vogël në spital. Mjeket thonë se vogëlushi është jashtë rrezikut per jeten, por ka pësuar një frakture në këmbe. Aktualisht për fëmijën në spital po kujdeset vetëm gjyshja.
Sipas policisë, Eduart Gjoka 40 vjeç ishte ndarë nga e shoqja prej disa muajsh dhe kishte pakenaqesi nga vendimi i gjykatës për kujdestarinë e fëmijës e cila kishte vendosur që ai të rritej nga nëna.