Senatorja franceze: Shqiptarët folën më 28 qershor
Senati francez ka bindjen e plotë se shqiptarët folën qartë njëherë e mirë më 28 qershor, duke përcaktuar fituesin e zgjedhjeve përmes votës së lirë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me senatoren franceze, Joelle Garriaut Maylam, e cila pas takimit deklaroi se shqiptarët folën në zgjedhjet demokratike të 28 qershorit. “Në zgjedhjet e 28 qershorit, populli foli. U bënë zgjedhje demokratike dhe institucionet duhet të respektohen”, - tha senatorja franceze, Joelle Garriaut Maylam. Në bisedën me kryetaren e Kuvendit, senatorja Maylam vuri në dukje se transformimet në Shqipëri janë impresionuese ndërsa vlerësoi faktin që në krye të Parlamentit është një grua. “Kjo është diçka e rrallë edhe në Evropë dhe është një shenjë e fortë e energjisë dhe forcës suaj, por edhe e demokracisë së shoqërisë shqiptare”, - deklaroi ajo. Senatorja franceze pohoi më tej se Franca do të jetë në krah të procesit integrues të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, tha se shqiptarët me vokacionin dhe mendësinë e tyre perëndimore janë energjia kryesore integruese. Ajo deklaroi se “ne ndihemi krenarë që bëmë të mundur që ata të jenë qytetarë të NATO-s, të lëvizin vitin e ardhshëm pa viza dhe së shpejti të bëhen edhe qytetarë të Bashkimit Evropian, sepse shqiptarët janë evropianë”.