E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, Meta në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s



Në kuadër të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që u zhvillua në Bruksel nga data 3-4 dhjetor 2009, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, në takimin e Komisionit NATO-Gjeorgji, si dhe në mbledhjen informale të Këshillit kushtuar Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Ministrat e Jashtëm të NATO-s vendosën të ftojnë Malin e Zi t’i bashkohet Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) dhe inkurajuan Bosnjë-Hercegovinën të thellojë reformat me shpresën e anëtarësimit në MAP sapo të jenë përmbushur kriteret e duhura. Gjithashtu, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kontribuuese të trupave ISAF diskutuan mbi çështje kyçe dhe mbi prioritetet e strategjisë për Afganistanin, në veçanti për mbrojtjen e qytetarëve afganë, ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë afgane dhe për lehtësimin e qeverisjes dhe zhvillimit në vend. Ministrat e Jashtëm adoptuan një deklaratë të përbashkët, ku shprehet vullneti për të punuar së bashku për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me misionin si dhe mbështetja e plotë për parimet e ISAF për proceset e ri-integrimit dhe të pajtimit në Afganistan. Pas takimit, Meta konfirmoi për mediat se Shqipëria ka mbështetur politikën e dyerve të hapura për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s. Në këtë drejtim ne kemi mbështetur edhe hyrjen e Malit të Zi në Plan Veprimin për Anëtarësim (MAP), vendimi pozitiv për të cilin u mor sot me sukses të plotë. “Kemi shprehur mbështetjen tonë edhe për Bosnje-Hercegovinën, ku nuk pati konsensus të plotë gjatë këtij takimi. Por pa asnjë diskutim që Bosnje-Hercegovina u inkurajua që të vazhdojë me reformat e saj të brendshme, me shpresën që në prill, në Takimin e ardhshëm te ministrave të Jashtëm të NATO-s të merret një vendim pozitiv”, - u shpreh z. Meta. Së dyti, - shtoi ai, - ne kemi përkrahur atë strategji të shpallur nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, për të stabilizuar situatën në Afganistan në mënyrë që misioni ndërkombëtar i sigurisë të jetë i suksesshëm, në këtë mënyrë ne kemi konfirmuar shtimin e pjesëmarrjes sonë me 85 trupa përveç kontingjenteve që kemi në Afganistan, si dhe angazhimin për sa i takon ndërtimit dhe rehabilitimit të shkollave dhe 100 bursa për të rinjtë afganë për të studiuar në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›