Protesta, policia: Po analizojmë qeset e plehrave
TIRANË - Protesta e vendorëve sot para Kryeministrisë filloi me një orë vonesë për shkak të një incidenti mes punonjësve të bashkisë dhe policisë së shtetit. Siç bëri të ditur edhe Rama gjatë fjalës së tij, në shenjë proteste, punëtorët kanë tentuar të sjellin në shesh disa qese me mbeturina, por janë ndaluar me forcë nga policia. Ndërsa kjo e fundit sqaron pozicionin e saj duke deklaruar se "qeset e zeza mund të kishin materiale të rrezikshme brenda dhe për këtë po analizohen".
"Përpara dhe gjatë zhvillimit të tubimit, ka pasur përpjekje që në vendin e tubimit të futen qese jo transparente dhe sende të tjera të ndaluara", tha zëdhënësja e policisë.
Me qëllim, sigurimin e zhvillimin normal të këtij tubimi, policia, ka penguar që në vendin e tubimit të futen qese jo transparente, ne të cilat mund të kishin sende të rrezikshme për jetën e të tjerëve.
"Një pjesë e këtyre qeseve, të cilat u bllokuan nga policia po u nënshtrohen kontrolleve të specializuara, për të përcaktuar nëse përmbajnë sende të rrezikshme për jetën dhe shëndetit e të tjerëve", bën të ditur policia. Ndërsa i bën thirrje bashkisë që herë tjetër të mos thyej ligjin për tubimet.
Incidenti me mbeturinat në fakt ka nisur që mbrëmë, kur forcat e policisë së komisariatit nr. 6 shoqëruan në këtë komisariat 20 punonjës të bashkisë që po punonin në vendgrumbullimin e mbeturinave në Sharrë. Pasi janë mbajtur një orë në qeli ata janë liruar edhe me ndërhyrjen e deputetëve të majtë që shkuan në këtë komisariat mbrëmë.