E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet emigranti me 4.6 kile heroinë

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Sekuestrohet në Kakavijë 4.6 kg heroinë në tentativë për ta kaluar në shtetin fqinj përmes një automjeti tip "Wolkswagen" me targa greke.Policia arrestoi për trafik ndërkombëtar të drogës Kristaq Mushën, emigrant prej disa vitesh në shtetin helen. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur Musha, 42 vjeç nga Portëza e Fierit, ishte duke kaluar drejt Greqisë me automjetin me targë ATE 7507. Njëri prej oficerëve të shërbimit në Kakavijë, pasi ka kryer kontrollin e dokumentacioneve të tij ka kërkuar t'i bëhej një kontroll edhe makinës. Kontrollorët e kanë nisur punën fillimisht me bagazhin e makinës dhe kur nuk konstatuan ndonjë gjurmë të dyshimtë, lejuan qarkullimin e automjetit në drejtim të shtetit fqinj. Por më pas, njëri prej punonjësve të pikës kufitare në momentin e fundit, i ka kërkuar Mushës të hapte kofanon e makinës, pasi motori lëshonte një zhurmë të çuditshme. Shoferi është munduar të bindë kontrollorët e Policisë Kufitare se zhurma vinte për shkak të filtrit të ajrit, i cili kishte problem me rakordimin në tubon e origjinës, gjë që sipas tij do ta rregullonte kur të mbërrinte në Athinë. Por këmbëngulja e tij ka shtuar dyshimet tek policët, të cilët insistuan të kontrollonin pjesën poshtë kofanos së makinës. Pas këtij veprimi, u dekonspirua edhe vendndodhja e sasisë së heroinës, e cila do të trafikohej drejt Greqisë. Sipas burimeve të policisë, sasia e heroinës prej 4.6 kg, ishte fshehur në pjesën plastike poshtë fshirëseve të xhamave të automjetit. Droga ndodhej në 9 pako në formë paralelopipedi, të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe me mbishkrimin "NAZIF". Në momentin e zbulimit, 42-vjeçari fierak është habitur për ekzistencën e sasisë narkotike në automjetin, që drejtonte dhe është justifikuar me faktin se nuk kishte dijeni për të. Edhe pas arrestimit të tij në kushtet e flagrancës, ai nuk ka pranuar të kishte dijeni për drogën kur është marrë në pyetje nga grupi i hetimit. Ai e ka justifikuar udhëtimin e tij drejt Greqisë në orët e natës, për të evituar temperaturat e larta gjatë ditës. Arrestimi i Kristaq Mushës u krye nga sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Policia ka bërë njëkohësisht sekuestron e nëntë pakove të heroinës, automjetin si dhe dy telefona celularë. Për këtë ngjarje materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme. Kjo është tentativa e dytë për këtë vit për kalim të heroinës në Greqi, pas rastit të muajit maj kur policia kufitare sekuestroi rreth 40 kg heroinë në bordin e një automjeti, që udhëtonte drejt Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›