E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombet e Bashkuara verifikojnë vijën kufitare Kosovë-Maqedoni



PRISHTINË - Ministria e Jashtme e Maqedonisë bëri të ditur për mediat kosovare se Kombet e Bashkuara kanë verifikuar vijën kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. “Procesi i ndarjes së vijës kufitare ka përfunduar me sukses dhe është verifikuar edhe nga Kombet e Bashkuara”, - njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme maqedonase, Petar Çulev. Ai theksoi se, tashmë shtyllat kufitare janë nënshkruar nga komisioni maqedonas-kosovar për demarkacionin e kufirit, kurse i gjithë procesi është realizuar në bazë të Planit të Marti Ahtisarit. “Mënyra se si është shënuar vija kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, mund të shërbej si një shembull i mirë për zgjidhjen e çështjeve të këtilla edhe në vende të tjera” nënvizoi Çulev, duke përgënjeshtruar pohimet e disa mediumeve, të cilat kanë thënë se Maqedonia do të kërkoj ndihmën e Gjykatës ndërkombëtare, për të zgjidhur çështjen e kufirit me Kosovën.

Kosova, së shpejti me pasaporta biometrike

PRISHTINË - Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar në përgatitjen e pasaportave të reja biometrike të Republikës së Kosovës. Një fakt i tillë është pohuar nga Artan Duraku, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës. Duraku tha se përgatitjet e të gjitha punëve janë në përfundim e sipër dhe pritet që dhënia e pasaportave biometrike të fillojë vitin e ardhshëm. Pasaporta biometrike është njëri prej kushteve që Kosova duhet të plotësojë për tu bërë pjesë e Listës së Bardhë Shengen. Kosova, bashkë me Shqipërinë dhe Bosnjën nuk u përfshinë në listën e radhës së BE-së për heqjen e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›