E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet me jetë prokurori i Krimeve të Rënda

Anton Martini merr një letër kërcënuese nga Nikoll Syziu, i pandehur për vrasjen e një punonjësi të policisë

Kërcënohet dhe shantazhohet prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili ka marrë një letër nga Nikoll Syziu i gjykuar për vrasjen e një punonjësi të policisë në vitin 2000 dhe i paraburgosur tek 313-ta në pritje të dënimit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip” se letra ka përmbajtje kërcënuese dhe është verifikuar nga drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa mësohet se kërcënimi ka ardhur pasi prokurori Martini lexoi në seancën e kaluar pretencën për të pandehurin Nikoll Syziu, i cili në bashkëpunim me të vëllain, Dritanin, dyshohet se kanë vrarë punonjësin e policisë, Gjon Pacuku, në muajin qershor të vitit 2000 në qytetin e Rrëshenit dhe kanë plagosur pesë punonjës të tjerë. Prokurori ka kërkuar për vëllezërit Syziu burgim të përjetshëm dhe për ndihmësit e tyre 20 vjet burg.

Letra

Burime nga akuza qendrore thanë se letra kërcënuese ka mbërritur mëngjesin e djeshëm në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në letër deklarohej se dërguesi ishte “Burgu i sigurisë së lartë 313” dhe marrësi ishte Anton Martini, prokuror te Krimet e Rënda. Nuk dihet ende sesi kjo letër ka kaluar në “duart” e zyrtarëve të burgut dhe ka përfunduar në godinën e akuzës, duke hedhur hije dyshimi mbi sigurinë e burgjeve shqiptare, madje edhe të burgjeve të sigurisë së lartë siç është edhe paraburgimi 313. Rregullorja e re e burgjeve e ndalon rreptësishtë nisjen e letrave nga të paraburgosurit, përveç rasteve kur letra u adresohet krerëve më të lartë të shtetit dhe deputetëve. Megjithatë, në këto raste letra kontrollohet, ndryshe nga sa ka rezultuar në rastin konkret, ku letra kërcënuese është nisur nga burgu i sigurisë së lartë. Zyrtarë të akuzës qendrore, të cilët kanë marrë letrën, deklarojnë se i arrestuari Nikoll Syziu kërcënon me jetë prokurorin për dënimin që ka kërkuar ky i fundit në seancën e kaluar gjyqësore, ndërsa i “premton” se do të shpifë në adresë të tij duke i prishur edhe karrierën, me letra “anonime” dërguar institucioneve shtetërore, ku prokurori mund të shantazhohet se ka përvetësuar shuma të majme lekësh. Përpos këtyre, kërcënimet vijonin se “padrejtësia” që u ka bërë prokurori vëllezërve Syziu do të vazhdonte për gjithë jetën...

Verifikimet

Letra kërcënuese mbërriti mëngjesin e djeshëm në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mësohet se prokurori Anton Martini ka informuar drejtuesit e këtij institucioni dhe më pas një kopje e letrës ka përfunduar në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Nuk dihet nëse kjo letër ka përfunduar në duart e kryeprokurores Ina Rama, por mësohet se letra është protokolluar nga një drejtori dhe më pas kanë nisur verifikimet. Ndryshe nga Krimet e Rënda, akuza qendrore e ka parë me “gjakftohtësi” këtë letër dhe veprimi nuk ka qenë i shpejtë. Deri në orët e pasdites së djeshme asnjë masë nuk është marrë. Zyrtarët e akuzës qendrore deklarojnë se letra po shqyrtohet dhe në ditët në vijim do të vendoset për hapat e mëtejshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›