E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet mashtruesi, prezantohej si punonjës i tatimeve

Një 38-vjeçar është vendosur në prangat e policisë pasi akuzohet për mashtrim. Ili Ceka prezantohej në subjekte të ndryshme private si punonjës i tatimeve duke përfituar para kundrejt mashtrimeve. 

TIRANË - Specialistë Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës kanë arrestuar sot një 38-vjeçar të quajtur Ilir Ceka, nën akuzën e mashtrimit pasi prezantohej në subjekte të ndryshme private si punonjës i tatimeve. Policia nisi hetimet pas kallëzimit të dy shtetasve të dëmtuar nga ky mashtrim. Ceka ishte prezantuar si punonjës i Tatim Taksave, duke përfituar shumën prej 15 000 lekësh me pretendimin se do të shmangte gjobën për shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit të kryer nga ana e tij në subjektin ushqimor. Në momentin e kapjes në flagrancë Ilir Cekës iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një dokument identifikimi në emër të shtetasit Ilir Ceka, lëshuar nga Dega e Tatim Taksave Durrës si dhe një dosje me formularë A-4, ku dy prej formularëve ishin të plotësuar pjesërisht.
Aktualisht materialet i kanë kaluar organit të Prokurorisë së Tiranës, pasi Ceka akuzohet për veprat penale të “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”.
(a.s/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›