Rumania ratifikoi sot protokollin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO
Senati i Rumanisë ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë i gjashti vend që e miraton këtë protokoll brenda një muaji. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Kuvendit thuhet se, "ky ratifikim është shprehje e mbështetjes së vendeve të NATO-s dhe të BE-së, ndaj një partneri serioz si Shqipëria, shprehje e besimit ndaj reformave dhe progresit të arritur. Ky është vlerësim jo me fjalë, por me vepra, me votë pro Shqipërisë në Aleancë". Rumania ratifikon këtë protokoll pas Senatit amerikan, ku Dana Perino zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë e quajti rezultat të progresit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, ratifikim që u votua unanimisht edhe nga parlamentet e Hungarisë, vendeve balltike dhe Polonisë. Me anë një letre falënderimi, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli i shprehu mirënjohjen deputetëve dhe senatorëve rumunë, si dhe miqve të saj, Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan Olteanu dhe Presidentit të Senatit të Rumanisë, Nicolae Vacaroiu, për impenjimin e tyre në futjen e shpejtë në axhendën parlamentare të këtij ratifikimi dhe për besimin e tyre tek Shqipëria dhe reformat e realizuara.
Vendet që kanë ratifikuar protokollin
Pas Hungarisë, Letonisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lituanisë dhe Polonisë, Rumania është vendi i pestë, senati i së cilës miratoi sot Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Më poshtë renditen datat e ratifikimit të këtij Protokolli nga parlamentet respektive të këtyre vendeve, anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut:
- Më 15 shtator 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti hungarez
- Më 18 shtator 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti letonez
- Më 25 shtator 2008 - Ratifikimi nga Senati i SHBA-së
- Më 6 tetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti lituanez
- Më 16 tetor 2008- Ratifikim nga senati i Polonisë
- Më 21 tetor 2008 -Ratifikim nga Senati i Rumanisë
Shqipëria mori ftesën për t'u anëtarësuar në NATO në prill të vitit 2008, gjatë punimeve të Samitit të Bukureshtit, ndërsa Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan në selinë e NATO-s në Bruksel, më 9 korrik 2008. Anëtarësimi i plotë i vendit tonë në Aleancë, që pritet të ndodhë para Samitit të ardhshëm të NATO-s në vitin 2009, është angazhim i kësaj organizate dhe i vendeve të saj anëtare.
...