E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Njohim personat që shtinë në Lazarat

Drejtori i komanduar i policisë së Gjirokastrës, Ylli Metko,në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se operacionet antikanabis do të vijojnë në çdo cep të qarkut përfshi këtu edhe fshatin Lazarat. Vetëm për këtë fshat sipas Metkos, janë filluar 19 procedime penale, për 13 persona të shpallur në kërkim për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Ndërkaq i pyetur në lidhje me të shtënat e vazhdueshme nga ky fshat, Metko ka deklaruar se policia e shtetit në sajë të hetimeve të kryera ka siguruar provat, dhe po bën dokumentimin ligjor të tëgjitha rasteve, ndërsa të gjithë autorët janë të identifikuar, por për momentin identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Një pjesë e mirë e këtyre personave janë me precedencë të mëparshme penale.

Ndërkohë në vendin e quajtur Përroi i Lenjës në fshatin Mashkullorë, janë evidentuar dhe asgjësuar sot 1225 rrënjë bimë narkotike të kultivuara në tre parcela. Aksioni erdhi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ndërsa po punohet për identifikimin e autorëve. Qysh prej muajit qershor, janë asgjësuar rreth 25 mijë rrënjë në qarkun e Gjirokastrës. Në 53 raste të evidentuara janë proceduar penalisht 32 autorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›