Kapet montuesi i bombave me celular, kërkohej që nga 2008

Hysen Hyka
TIRANË / Prangoset i kërkuari si anëtar i grupit të arrestuar në 2008 në Durrës gjatë aksionit Cikloni
Hysen Hyka, teknik televizorësh, montoi 9 mina me telekomandë.
Arrestohet nga Policia e Tiranës tekniku i televizorëve i akuzuar për montimin e bombave me celular. Burime zyrtare të Policisë kanë pohuar dje se shtetasi Hysen Hyka, 48 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur ne kërkim, ka rënë në pranga. Ai kërkohej mbi bazën e vendimit të dhënë ndaj tij në mungesë që në 24 dhjetor 2009, për dënimin me katër vjet burg për akuzën e prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, kryer në bashkëpunim në sasi të mëdha. Sipas Policisë, ky shtetas ka vuajtur 891 ditë burgim, ndërsa i mbeten për të vuajtur dhe 570 ditë burgim. Sipas vendimit të gjykatës, vuajtja e dënimit për shtetasin Hysen Hyka ka nisur nga dita e arrestimit të tij më 20 mars 2008, ndërkohë që për shkak të zgjatjes së procedurave gjyqësore ai kishte dalë nga paraburgimi pasi kishte kryer një afat qëndrimi në qeli të barasvlershëm me 891 ditë burg. Arrestimi i tij ka ndodhur për kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit.
Tekniku i TV

Provat e bllokuara në vitin 2008
I arrestuari Hysen Hyka është akuzuar se ka qenë pjesë e një grupi prej katër personash, sipas hetimit të drejtuar nga Glerjan Hyseni. Ky grup ishte përfshirë në trafikimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, armëve luftarake dhe të municioneve. Në vitin 2008, agjentët e Policisë kanë marrë kontakt me Glerjan Hysenin, i cili u ka premtuar atyre se është në gjendje tu sigurojë një sasi prej 10 bombash të përgatitura me lëndë plasëse dhe në gjendje të realizojnë shpërthimin në distancë me anë të celularit. Ai ka garantuar se gjente edhe armë luftarake kundrejt pagimit të shpërblimit. Agjentët e infiltruar i kanë kërkuar atij tu sigurojë një sasi prej 10 bombash që shpërthejnë në distancë me anë të celularit, si dhe një pushkë snajper kundrejt çmimit 1200 euro për një minë dhe 2000 euro për pushkën snajper. Glerjan Hyseni, mbasi ka marrë porosinë, ka bashkëpunuar me shtetasin Adrian Moçka, që i ka mundësuar kontaktin me të gjykuarin tjetër Hysen Hyka, i cili kishte njohuri të posaçme në fushën e inxhinierisë elektrike. Shkëlqim Gjoka dhe Adrian Moçka i kanë kërkuar Hysen Hykës që në bazë të njohurive të posaçme në fushën elektrike të realizonte prodhimin e minave plasëse me shpërthim të komanduar në distancë. Ata i kanë vënë në dispozicion Hykës një skemë të siguruar nga një libër në gjuhën turke. Ata kanë siguruar edhe aksesorët e nevojshëm për realizmin e prodhimit të minave nga i gjykuari Hysen Hyka si RL me voltazh të ulët, celularët, kabllo etj. Hyka ka arritur të realizojë mekanizmin shpërthyes në distancë për lëndën plasëse nëpërmjet aktivizimit me anë të celularit. Në lidhje me punën e kryer, i gjykuari Hysen Hyka është paguar nga të pandehurit e tjerë Shkëlqim Gjoka dhe Ardrian Moçka. Arrestimi i personave është bërë në servisin e Glerjan Hysenit, pasi ai kishte njoftuar blerësit se nëntë bombat e prodhuara ishin gati. tr.so
Anëtarët e grupit
1 – Glerjan Hyseni, akuzuar për trafikim të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, në bashkëpunim, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake,
2- Shkëlqim Gjoka
3- Adrian Moçka
Të akuzuar për krimin e trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, të kryer në bashkëpunim
4 – Hysen Hyka i pandehur për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të kryer në bashkëpunim