Merret peng vajza për tradhtinë e nënës
TIRANE- “Më mbajtën peng për një orë dy persona”. Vajza 19-vjeçare denoncon në polici vëllain e të dashurit të nënës së saj, me pretendimin se e ka mbajtur peng për disa orë. Policia dyshon se situata e denoncuar mund të jetë një sajesë e vajzës, ndërsa dërgon për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës, 39-vjeçarin K. Shala, banues në Tiranë. Denoncimi ka mbërritur të martën pasdite në Komisariatin e Policisë nr.3, kur adoleshentja R.H. ka kallëzuar se tre njerëz e kanë mbajtur peng në një ambient dhe më pas e kanë lëshuar. Sipas denoncimit të vajzës në polici, personat kanë ushtruar presion ndaj saj që të ndikonte tek nëna e saj që të ndahej me të dashurin aktual. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, mësohet se ishte vëllai i 39-vjeçarit të denoncuar nga femra pranë hetuesve të Komisariatit nr.3. Pas kallëzimit të bërë nga e dëmtuara, policia ka transferuar denoncimin pranë seksionit të krimeve kundër lirisë së personit dhe krimeve seksuale. Gjatë marrjes së kallëzimit në polici, e dëmtuara ka identifikuar me emrin K. Shala, personin që, sipas saj, i ka hequr në mënyrë të padrejtë lirinë asaj. Gjatë kallëzimit, vajza ka pohuar se personi i kishte kërkuar që e ëma të ndahej nga burri i motrës së tij. Sipas vajzës, personi ishte munduar të ushtronte presion fillimisht nëpërmjet formës së këshillës. Më pas ai ka filluar të ushtrojë edhe presion psikologjik mbi vajzën, që t’i mbushte mendjen së ëmës të ndahej nga i dashuri i saj. Kjo, pasi i dashuri i saj mund të ndahej sërish nga ajo, duke qenë se më parë kishte lënë një grua. Sipas burimeve të policisë, çifti, emrat e të cilëve nuk jepen, ishte njohur pak muaj më parë dhe burri ishte ndarë nga e shoqja. Kjo situatë, sipas pretendimit të vajzës, ka zgjatur më tepër se dy orë, por policia dyshon se deklarimet e vajzës janë të fryra dhe të ekzagjeruara. Gjithsesi pas deklarimit të vajzës në Komisariatin nr.3, ajo është ripyetur edhe nga specialistët e seksionit të krimeve ndaj lirisë së personit. Edhe në këtë seksion ajo ka pohuar pak a shumë të njëjtat thënie që ka dhënë përpara oficerëve të Komisariatit nr.3. Pas përfundimit të kallëzimit në polici është shoqëruar edhe vetë Kujtim Shala, në cilësinë e personit të denoncuar dhe të marrë nën hetim. Ai është dashur të japë sqarime për hetuesit, fill pas kallëzimit të dhënë nga 19-vjeçarja ka pohuar se ka biseduar me vajzën, por jo ta ketë mbajtur peng apo t’i ketë hequr lirinë. Sakaq policia ka referuar në Prokurorinë e Tiranës në ngarkim të Kujtim Shalës, materialet me akuzën e heqjes së padrejtë të lirisë. d.b