Kapet pas 5 vjetësh trafikanti i drogës
Gjirokastër- Pesë vjet pas sekuestrimit të një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike, vihet në pranga njëri prej poseduesve të saj. 37-vjeçari Florian Shtalbi është arrestuar, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim, ndërsa gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar atë me 15 vjet heqje lirie për veprën penale të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
“Në mëngjezin e datës 04.07.2002, në pikën e kalimit kufitar Kakavije, shërbimet e policisë gjatë një kontrolli rutinë të bërë në automjetin tip Man, me targa TR 2871 E i drejtuar nga shtetasi D. M, kanë gjetur të fshehur në një ndarje të trajlerit frigoriferik të kësaj makine sasinë e lëndës narkotike 1720 kilogramë marijuanë.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ishte njëri prej poseiduesve të kësaj lënde narkotike dhe është gjykuar në mungesë.
Kapja e këtij shtetasi u bë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në banesën e tij”, kanë bërë të ditur burime zyrtare të Policisë së Gjirokastrës.