E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Zgjedhjet 2009, e majta do të bashkohet

 

Shkrimtari Dritëro Agolli flet për të majtën dhe domosdoshmërinë për t’u bashkuar

TIRANË- Pavarësisht dallimeve që ka për disa çështje parimore, e majta do të arrijë të bashkohet. Kështu beson shkrimtari Dritëro Agolli, një nga figurat më të njohura të së majtës, sipas të cilit, partitë e këtij spektri do të dinë të dalin mbi interesat e tyre për të fituar zgjedhjet dhe qeverisur shqiptarët në katër vitet e ardhshme. Por, ai është i vetëdijshëm se një bashkim i tillë nuk do të vijë natyrshëm, por nën peshën dhe përgjegjësinë që kanë këto forca për elektoratin e majtë, që pret më shumë prej partive të tyre, por edhe ndaj qytetarëve që presin një qeverisje tjetër nga kjo e tashmja. Kështu, duke iu referuar pikërisht marrëdhënieve mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dy forca që gjatë këtij viti kanë shfaqur hapur kundërshti mes njëra-tjetrës, Agolli, me një gjuhë të thjeshtë, shprehet se ato do t’i bashkojë nevoja për të mundur Berishën. “Po ta themi në mënyrë popullore, ata do t’i bashkojë frika, se në frikë njerëzit bashkohen”, - shprehet Agolli, i cili shpreh besim se lidershipët respektive do të dinë të reagojnë si duhet. Megjithatë, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy forcave, Agolli është i vetëdijshëm se kapërcimi i kësaj faze nuk do të jetë një gjë e lehtë. Për këtë arsye ai nuk arrin të japë garanci nëse një bashkim i tillë do të arrihet të realizohet dot para zgjedhjeve, çka do të ishte dhe më idealja për të majtën. Në të kundërt, ai paralajmëron se, të ndarë, e majta do të rrezikonte shumë në arritjen e objektivit të saj për rikthimin në pushtet. “Nëse janë të ndarë veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009”, - tha Agolli. Prandaj, në rastin më të keq të mundshëm, sipas tij, e majta do të arrijë të bashkohet pas zgjedhjeve, për të administruar fitoren dhe qeverisjen e shqiptarëve. “Në mos e bëfshin përpara zgjedhjeve, pas do ta bëjnë”,- shprehet më tej patriarku socialist, Dritëro Agolli, duke vënë në dukje edhe një herë se, zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një koalicioni parazgjedhor. Një alternativë të tillë e favorizon edhe vetë sistemin proporcional-rajonal, ose i njohur ndryshe si sistemi zgjedhor spanjoll, i cili është sanksionuar tashmë në Kushtetutë dhe mbi të cilin është hartuar dhe ligji zgjedhor. Ekspertë të fushës së zgjedhjeve, kanë bërë të ditur gjatë këtyre muajve se sistemi spanjoll, megjithëse nuk është fatal për rastet kur forcat e një spektri politik janë të përçara, ai natyrisht jep një rezultat maksimal kur ato janë të bashkuara. Megjithatë, të dyja këto forca, si PS-ja, dhe LSI-ja, kanë deklaruar hapur se do të dalin në zgjedhjet e ardhshme me koalicionet respektive, por duke mos mbyllur asnjëherë mundësinë e realizimit të koalicionit paraelektoral. Ajo që dihet deri më tani është deklarimi i PSD-së dhe PDS-së si aleate të PS-së për zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›