Kapiten edhe në Australi

Alessandro del Piero ende nuk ka zbarkuar në Australi, por futbollistët e Sydney FC kanë shfaqur respekt të madh për të . Kapiteni aktual, Terry McFlynn është shprehur i gatshëm t’ ia dorëzojë italianit shiritin e kapitenit. Një dëshmi për vlerën e përforcimit të ri të ekipit, legjendë e padiskutueshme e futbollit evropian dhe sidomos rekord i kampionit të Italisë, Juventus.
Shembull ky i ngjashëm me atë të ish mesfushorit të Milanit, Clarence Seedorf, i cili menjëherë pasi zyrtarizoi kalimin te klubi brazilian Botafogo gjatë afatit kalimtar të verës, u zgjodh kapiten i skuadrës. Tani duket se është radha e Del Pieros, i cili ishte kapiten dhe mbi të gjitha lider i Bianconerëve për plot 19 vite.
“Nëse trajneri dëshiron që Del Piero të jetë lider i skuadrës, unë do të pranoj vendimin e klubit 100 për qind. Për mua nuk është me rëndësi kush është kapiten i skuadër, ka rëndësi vetëm interesi i Sydneyt”, deklaroi McFlynn për mediet australiane. Nuk bëhet fjalë vetëm për thjesht dorëzimin e një shiriti të kapitenit.
Pas konferencës për shtyp të Del Pieros, i cili njoftoi se ka arritur kontratë dyvjeçare me klubin nga A-League, futbollistët e Sydney FC thuhet se kanë shkëmbyer mesazhe mes vete duke shprehur gëzimin që së shpejti do të shoqërohen nga një ikonë të vërtetë të futbollit. Mesfushori Brett Emerton, i cili ka pasur rastin të luajë kundër Del Pieros në Ligën e Kampionëve me fanellën e Feyenoordit në vitin e largët 2002, e di mirë se për çfarë përforcimi bëhet fjalë.
“Është një prej më të mirëve në botë, ka fituar gjithçka që mund të fitohet në botën e futbollit nga Kampionati botëror deri te Liga e Kampionëve. Del Piero është futbollist i shkëlqyeshëm. Të stërvitem së bashku me të do të jetë fantastike dhe jam i lumtur që do të jetë me ne sepse do të shërbejë si shembull për futbollistët e rinj”, deklaroi ai.
Procesi i ‘Del Pierizimit’ duket se ka filluar menjëherë në pritje të ardhjes së tij në klub, të caktuar për javën e ardhshme. Tifozët e Sydney dhe kampionatit australian kanë filluar të fërkojnë duart nga gëzimi që së shpejti do ta shohin në aksion ikonën Del Piero. Njësoj sikurse në Juventus, ai edhe te Sydney FC do të bartë fanellën me numrin 10.