S’fiket Drita
_984595.jpg)
Në kampionatin e kaluar, Drita ishin njëra prej skuadrave më të forta në Superligë.
Mirëpo, me të përfunduar ai kampionat, kjo skuadër kishte filluar ta merrte tatëpjetën sepse ishte braktisur thuajse nga gjithë futbollistët standardë të saj.
Madje, vetëm pak kohë para se të fillonte edicioni i ri, Drita kishte filluar ta riorganizonte kryesinë, shtabin teknik e më pas kishte nisur t’i angazhonte disa lojtarë të rinj, thuajse vetëm sa për t’i mbuluar largimet e shumta.
Duke u bazuar në këtë, thuajse askush nuk kishte pritur se Drita do ta niste mirë edicionin e ri. Por, një gjë të tillë tashmë e kanë bërë gjilanasit, të cilët thjesht po befasojnë në këtë fillim të kampionatit.
Madje, bardhekaltrit shkëlqyen në katër xhirot e para, duke i shënuar tri fitore karshi një humbjeje të pësuar dhe me meritë tani pozicionohen në vendin e dytë të tabelës me 9 pikë, vetëm tri më pak sesa e pandalshmja Prishtina.
E për këtë merita të mëdha i takojnë Arbnor Morinës, i cili e kishte marrë postin e trajnerit në ditë të vështira për Dritën. Prishtinasi thotë se skuadra e tij nuk po i korr rastësisht këto rezultate, por me djersë e sakrificë.
“Isha i vetëdijshëm për situatën e Dritës. Në ditën e parë të takimit me futbollistët e mbetur i njoftova ata se unë nuk do të heq dorë nga puna serioze dhe disiplina. Ata më kuptuan dhe i falënderoj. Andaj, nga atëherë ata kanë punuar me një përkushtim të madh, duke më ndihmuar ta arrij qëllimin për ta bërë një ekip kompakt që aplikon lojë të mirë siç duan tifozët tanë dhe nëpërmjet lojërave të mira tani për të korr rezultate pozitive, dhe tash jemi në rrugë të mirë”, tha Morina i cili frikësohet se skuadra e tij mund ta humbasë drejtimin shkaku i fondit të varfër të futbollistëve.
“Kemi pak lojtarë në dispozicion. Andaj, na duhet edhe ndonjë përforcim, në fund të fundit sa për ta rrit konkurrencën në ekip”, shtoi Morina. Ai theksoi se Drita nuk e ka ndonjë objektiv definitiv, por shpreson që të vazhdojë të fitojë sa më shumë duele, siç po bën në këtë fillim të kampionatit.
Sfida e radhës e Dritës është Prishtina, të cilës synon t’ia ndalë hovin në Gjilan.
Përveç Dritës, edhe nënkampioni aktual, Trepça ’89 ishte braktisur nga shumë lojtarë të rëndësishëm. Por, megjithatë edhe mitrovicasit e kanë nisur mirë kampionatin, ngase deri më tani i kanë tubuar tetë pikë, një më pak sesa Drita dhe minus tri prej Prishtinës, duke u pozicionuar kështu në vendin e tretë të tabelës.