E Diel, 1 Nëntor 2026

Champions, Çelsi e nis me një sfidë ferri ndaj Juves

TIRANE-Londra pret sot në mbrëmje betejën më të rëndësishme të ditës në Champions League. Përballë do të jenë Çelsi e Juventus, kampionët në fuqi të Evropës dhe ata të Italisë, në një ndeshje që mund të vlejë shumë sa i përket kualifikimit për në turin tjetër. Është një përballje e Di Mateos ndaj skuadrës më të madhe të vendit të tij, që rikthehet në Champions pas tre sezonesh të dështuara. Për blutë e Londrës, mbrojtja e titullit nis pikërisht nga një ndeshje e madhe, ashtu siç u mbyll sezoni i shkuar.

Nën drejtimin e Di Mateos, ata arritën të ngrinin më në fund lart Kupën e shumëdëshiruar nga presidenti Roman Abramoviç. Di Mateo është paraqitur para gazetarëve me një bluzë të verdhë, me një pamje të qetë dhe me një dëshirë të madhe për të fituar. "Taktika? Nuk kam ndërmend t'ua them ju gazetarëve", thotë italiani duke qeshur. "Triumfi i sezonit të shkuar ka ikur, duhet të shohim përpara. Juve është një skuadër shumë kompetitive, ka bërë një kampionat të jashtëzakonshëm dhe është një nga skuadrat më të vështira për t'u përballuar. Ka një miksim të shkëlqyer mes të rinjve dhe futbollistëve ekspertë, - shprehet më tej Di Mateo. - Thuhet që për një trajner ka shumë rëndësi fati, por unë them se duhet më shumë se fati", shton ai.
Turneu
Për Roberto Di Mateon, Champions i këtij viti do të jetë më i vështirë, pasi niveli i skuadrave është rritur ndjeshëm. "Rikthimi i skuadrave të rëndësishme si PSG apo Juventus, e bën këtë Champions shumë më kompetitive, - thotë ai. - Jam shumë i karikuar. Pres një Juventus që do të përpiqet të imponojë lojën e vet edhe këtu në Londër. Është kjo mënyra si ata luajnë. E njoh mirë Juven dhe ia kam frikën. Në futboll nuk mjafton emri dhe humbja me Atletikon ishte një leksion i mirë për këtë", shtoi Roberto Di Mateo. Për Xhon Obi Mikel, fitorja e Champions në majin e këtij viti duhet të jetë një pikënisje. "Ishte kurorëzimi i një karriere brilante për shumë futbollistë, si Drogba përshembull. Ne duam të rinisemi prej aty. Jemi ende të uritur. Mund të fitojmë më shumë trofe se sezonin e shkuar, Premier Ligën dhe Ligën e Kampioneve", deklaron Xhon Obi Mikel. Reali i Madridit dhe Barcelona duken favoritet edhe këtë sezon, por mesfushori nigerian mendon ndryshe.

"Barça ishte dhe sezonin e shkuar, por e patë si përfundoi ndaj nesh. Këtë vit kemi më shumë presion, sepse jemi kampionët në fuqi, por dimë ta menaxhojmë. Me Juventusin nuk do të jetë e lehtë, pasi ata ende nuk janë mundur në dy sezonet e fundit. Pastaj kanë Pirlon, një futbollist i madh, të cilin e pamë të gjithë në Europian. Të luaj ndaj një legjende si ai do të jetë e bukur, një betejë që dua ta fitoj", u shpreh më tej Xhon Obi Mikel.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›