E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapitin e pret Gjermania

Gjendja shëndetësore duket se nuk është arsyeje e vetme që Ejup Mehmeti – Kapiti vendosi të japë dorëheqje nga posti i trajnerit të Prishtinës. Arsye më bindëse sesa kjo duket të jetë fakti se Kapiti shumë shpejt mund ta merr drejtimin e një ekipi të njohur gjerman, emrin e të cilit njëherë përnjëherë nuk dëshiron ta zbulojë. Ai është larguar me përshtypje të mira nga kryeqyteti.

Ejup Mehmeti – Kapiti, i cili të enjten dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i trajnerit të Prishtinës, nuk do të rrijë gjatë pa punë. Sipas të gjitha gjasave, shumë shpejt ai karrierën si trajner do ta vazhdojë në futbollin gjerman.

Kapiti kishte ardhur në Kosovë nga Gjermania për ta realizuar ëndrrën – për t’u bërë trajner i ish skuadrës së tij. Por, pas dhjetë xhirosh e la ekipin bardh e kaltër, edhe atë në vendin e parë të renditjes tabelore.

Kapiti insiston se dha dorëheqje nga posti i trajnerit për arsye se kjo detyrë i shkaktonte stres, i cili më pas do të mund t’ia rrezikonte shëndetin. Mirëpo, kjo duket të mos jetë arsyeja e vërtetë që Kapiti e la Prishtinën. Afrimi i tij me një klub të njohur gjerman mund të jetë arsyeja kryesore.

“Menaxheri im është duke punuar rreth angazhimit tim në një klub tjetër, emrin e të cilit tash për tash nuk mund ta përmend. Qëllimi im dhe i menaxherit tim është të bëjmë ‘boom’. Pra shumë shpejt pritet të angazhohem në postin e trajnerit të një skuadre me renome në futbollin gjerman. Projekti im është që në atë klub të angazhoj futbollistë të talentuar shqiptarë, posaçërisht nga Gjermania e Zvicra”, ka deklaruar Kapiti për Express të premten.

Megjithatë, ai insiston se kjo nuk është arsyeja kryesore që e detyroi ta lë klubin më të famshëm kosovar. “Prishtina dhe ‘Plisat’ më kanë përtërirë. Kurrë nuk do ta lija Prishtinën, por stresi ma rrezikonte pastaj shëndetin”, u shpreh ai.

Kapiti ka mohuar zërat që dikush nga kryesia t’iu ketë përzier në përpilimin e formacioneve para ndeshjeve të deritanishme të Prishtinës. Ai theksoi se çdo vendim e ka marrë vetë ai. “Për këtë ju garantoj me gjithë qenien time. Prandaj them se ‘zotni erdha në Kosovë, e zotni po kthehem në Gjermani’”, shtoi ai, duke u shprehur krenar që Prishtinën e la në krye të Superligës.

Javëve të fundit Kapiti nuk ndihej rehat në Prishtinë. Në njërën anë atij iu kishte besuar posti i trajnerit, pavarësisht dy humbjeve që i kishte pësuar në shtëpi, e në anën tjetër krerët e klubit mendonin për ta gjetur zëvendësuesin e tij, e madje negocionin me tre trajnerë – Bylbyl Sokolin, Afrim Tovërlanin e Muharrem Sahitin. Kapiti bëhet i sinqertë dhe tregon se ky veprim i krerëve të klubit e kishte lënduar atë.

“Mesa unë e di, ata bisedonin vetëm me një trajner. Megjithatë, unë ndihesha i lënduar e i frustruar. Por, kështu e ka pozicioni i trajnerit. Kërriga gjithmonë lëkundet. E njëjta më ngjante edhe mua, ngase nuk isha lider në tabelë”, përfundoi Kapiti i cili këto ditë do të udhëtojë drejt Durrësit për të pushuar disa ditë e më pas do të rikthehet në Gjermani, ku edhe e ka familjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›