Kapitulli 29 i negociatave Shqipëri – BE-në, takim dypalësh për bashkimin doganor

Kapitulli 29 i negociatave Shqipëri – BE-në, takim dypalësh për bashkimin doganor
Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan në Bruksel takimin bilateral mbi kapitullin 29 “Bashkimi doganor”, në kuadër të integrimit, njofton ATSH.
Delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga negociatorja e këtij kapitulli, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero.
Vjero shprehu rëndësinë e madhe që ka bashkimi doganor në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një objektiv i rëndësishëm strategjik i Qeverisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, në prezantimin e tij, u shpreh se Administrata Doganore është shumë e angazhuar në rritjen e standardeve të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit në partneritet me Bashkimin Evropian.
Ky proces do të jetë “skaneri më i mirë” për të vendosur piketat kryesore të përafrimit të legjislacionit. “Zbatimi i ligjit në shërbimin doganor e bën Shqipërinë një partner serioz dhe të qëndrueshëm të shteteve anëtare të BE”, tha Gazheli.
Lehtësimi i tregtisë sidomos nëpërmjet thjeshtimit të procedurave dhe krijimi i një klime të favorshme të biznesit tashmë është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare.
( Sipas ATSH )