E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar

I akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, është tërhequr nga gjykimi i shkurtuar, duke pretenduar parregullsi procedurale të dosjes. Avokati Maks Haxhia tha dje në sallën e gjyqit se është konsultuar me klientin e tij dhe kanë rënë dakord që të përballen me të gjitha aktet e prokurorisë që janë në dosje, duke kërkuar pavlefshmëri të aktit të ekspertimit ekonomiko-financiar. Seanca e djeshme gjyqësore është karakterizuar nga debatet midis palëve, ku avokatët kanë kundërshtuar prokurorinë dhe vetë gjykatën për procedurat e ndjekura. Gjykata i ka cilësuar kërkesat e mbrojtësve ligjore si "shoë" mediatik, ndërsa reagimi i avokatëve ka qenë se dëshirojnë të bëjnë një proces të drejtë ligjor.

Seanca
Seanca e djeshme filloi rreth orës 10:15. Kryetari i trupës gjykuese verifikoi palët prezente, ndërsa konstatoi se në kafazin e hekurt ndodhej një nga të akuzuarit për tragjedinë. I pandehuri Sokol Gjeçi ka pranuar të përballet personalisht me gjykatën, ndërsa ka shtuar se do të mbrohet vetë, pasi avokati i tij ndodhej në një gjyq tjetër. Më pas gjykata verifikoi të pandehurit e tjerë, ndërsa radha i ka ardhur Shkëlzen Madanit, i cili mungonte. Në sallë nuk ishte i pranishëm edhe mbrojtësi i tij Hysni Beti. Duke qenë në këtë situatë, trupi gjykues iu drejtua kreut të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia për marrjen e masave ndaj këtij avokati, pasi edhe në seancat e kaluara nuk ka pasur, një prezencë. Duke përmendur të gjithë të pandehurit e tjerë trupa gjyqësore iu drejtua përfaqësuesve të organit të akuzës rreth zhvillimit të seancës për më tej. Prokurori Genci Qana rekomandoi që mbrojtësi ligjor i të pandehurit Madani të zëvendësohet me një avokat, "kryesisht". Pikërisht këtë propozim ka pranuar gjykata, duke zëvendësuar avokatin Hysni Beti me avokaten Denata Selmani. Gjyqtari e pyeti avokaten nëse ishte njohur me aktet e dosjes, ndërsa avokatja tha se ka lexuar një pjesë të mirë të saj, pasi i është vënë në dispozicion nga ana e gjykatës. Kaq ka mjaftuar që në sallë të rebelohen disa avokatë. Njëri prej tyre, Vladimir Meçi, e quajti qesharak këtë veprim të gjykatës për të njohur avokatët "kryesisht", me aktet e dosjes. "Ne kemi firmosur për sekretin hetimor dhe nxjerrjen e akteve. Dhënia e të tilla materialeve avokates në fjalë cenon rëndë procesin dhe është e jashtëligjshme", tha avokati Meçi, duke kërkuar me ngulm që gjykata të tërhiqet për këtë vendim të ndërmjetëm.

Debatet
Pas avokatit Meçi është ngritur edhe avokati Maks Haxhia, i cili mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji. Ai tha se lejimi i avokatëve të caktuar kryesisht për t‘u njohur me dosjen është i jashtëligjshëm dhe si i tillë duhet të merren masa. Ndërsa avokatë të tjerë e kanë cilësuar si një vepër penale. Pas përplasjeve midis avokatëve dhe gjykatës ka ndërhyrë prokuroria, duke deklaruar se ia lë në dorë gjykatës një vendimmarrje të tillë. Më pas gjykata vazhdoi për një moment gjyqin, duke ia dhënë fjalën sërish avokatit Haxhia. Ai deklaroi se klienti i tij nuk mund të gëzojë privilegjet e ligjit për gjykimin "e shkurtuar", pasi procedura nuk ia lejon, pasi ka kërkuar pavlefshmëri të akteve të ekspertimit. Ai tha se gjykata e nderuar duhet ta kishte kuptuar që në seancën e kaluar që Delijorgji nuk mund të fitojë gjykimin e shkurtuar. Pas këtij është ngritur avokati Arben Prifti, i cili mbështeti Haxhinë në argumentin e tij. Gjykata i tërhoqi vëmendjen, duke i thënë se po bëni një "shoë mediatik", ndërsa reagimi i avokatit ishte se kanë ardhur për një proces të rregullt, por palët nuk i kuptojnë procedurat ligjore. Ai tha se edhe klienti i tij nuk mund të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar dhe se pretendohet për pavlefshmëri të akteve të ekspertimit. Vetëm avokati i të pandehurit Agim Lala deklaroi se klienti i tij i qëndron kërkesës për gjykim të shkurtuar, pasi pranon aktet e dosjes, por jo akuzën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›