Kapllani hap “thesin” e golave
Duket se pikërisht tani kur po i vjen fundi kampionatit gjerman, Edmond Kapllani ka vendosur që të “ndezë turbinat”. Sulmuesi i kombëtares shqiptare që është ftuar edhe për ndeshjen miqësore me Poloninë ka shënuar edhe golin e tij të dytë në Bundesliga në ndeshjen që skuadra e Karlsruhe e ka humbur me rezultatin 3-1 nga Herta Berlin. Kapllani ka shënuar në minutën e 53-të të ndeshjes duke ngushtuar përkohësisht disavantazhin e skuadrës së tij në 2-1, por gjithçka është bërë e pavlerë në minutën e 87-ë kur vendasit kanë shënuar edhe golin e tretë. Sulmuesi shqiptar është aktivizuar për 90 minuta në këtë takim. Ky është goli i dytë i Edmond Kapllanit në kategorinë elite të futbollit gjerman pas atij të shënuar në javën e kaluar në portën e Verder Bremen. Kur kanë mbetur edhe tre javë deri në mbyllje të Bundesligës ai do të kërkojë që t’i bëjë të paktën një mbyllje të mirë një sezoni që ka lënë për të dëshiruar.
RRUSTEMI- Lojtari i preferuar i Bariçit, Blerim Rrustemi (jo i thirrur nga Han në miqësoren kundër Polonsë), ishte edhe personazhi kryesor i ndeshjes Dinamo Drezden-Rot Vajs Erfuhrt (2-2). 25-vjeçari Rrustemi shënoi në minutën e 44-t (1-1), por e festoi edhe golin e parë sezonal me një karton të kuq në të 87’, tri minuta para se vendasit të barazonin rezultatin me anë të Bendovskit (90’).
KASTRATI- Ish-sulmuesi i Kombëtares, Bekim Kastrati realizoi një nga katër golat e Fortuna Dusedorf në fitoren 4-0 me amatorët e Borusia Dortmundit në Ligën Rajonale të Veriut. 29-vjeçari Kastrati, autor i tre golave në këtë sezon, realizoi golin e dytë takimit në minutën e 29-të.
CURRI- Sulmuesi kavajas i Erzbegirge Aue, Skerdilajd Curri shënoi një nga dy golat e ekipit të tij në humbjen 4-2 me St. Paulin në ndeshjen e vlefshme për javën 31 të Bundesliga 2. Ish-lojtari i Partizanit (1995-1997) realizoi në minutën e 35-të. Për 32-vjeçari Curri ky ishte goli i tretë sezonal.
5 Maj 2008