Mançini i prerë: “Fitore me Milanin”
Milan-Inter. “Xhuzepe Meaca”. Sot, ora 15:00. Derbi i shumë pritur i Milanos i ka intriguar të gjithë. Sfida është e hapur. Objektivat e mëdha. Interi për të fituar titullin e tretë rresht. Milani për të fituar e shpresuar vendin e katërt në kampionat dhe një vend në Ligën e Kampioneve. Trajneri Mançini tregohet gjakftohtë: “Jemi favoritë sepse jemi në krye të klasifikimit dhe fitojmë prej ndeshjesh rresht. Gjithsesi, kjo është një ndeshje që hedh poshtë çdo parashikim. Është e vështirë të thuhet kush mund të jetë favorit pasi përballen dy skuadra të mëdha”. Manço flet edhe për kundërshtarin. “Besoj se Milani është më mirë në raport me disa muaj më parë. Është një skuadër e ndërtuar nga lojtarë të mëdhenj, por mendoj se një skuadër nuk mund të jetë e pathyeshme gjatë gjithë kohës. Barcelona është një shembull tjetër. Për mua është skuadra më e mirë në Europë dhe në botë, por prej dy vjetësh nuk fiton asgjë”. Çfarë diference ka midis një Milani me Inzagin dhe një Milanin me Paton? Trajneri zikaltër përgjigjet: “Pato është një lojtar i madh dhe i ri, pak si Mario. Inzagi, në këto momente, më duket në formë të madhe edhe pse nuk ka luajtur shumë për probleme të ndryshme. E tregojnë golat që ka shënuar në ndeshjet e fundit. Por duhet të bëjmë shumë kujdes, qoftë sikur të luajë Inzagi qoftë Pato. Janë dy lojtarë të ndryshëm, por me cilësi”. Mançini ka skicuar edhe lojtarët për murin mbrojtës. “Besoj se kam bërë zgjidhjen më të mirë”. Nëse Interi do të fitojë, Mançini do të vendosë edhe një rekord në planin personal me zikaltërit, duke hyrë në historinë e klubit në nivelin e statistikave, pasi do të kalojë një emër të madh si Helenio Herrera. “Të mos e ekzagjerojmë, ai është një mit”, - bën modestin Mançini. “Për ne rëndësi katë fitojmë për të marrë titullin dhe asgjë tjetër”.
TAKIMI I FUNDIT
Në ndeshjen e fundit në transfertë, ku Milani ishte pritës, Interi fitoi me rezultatin 4-3. Në total janë zhvilluar 91 ndeshje me organizator Milanin: 31 fitore për Milanin, 24 barazime dhe 33 fitore për Interin. Milani në sezonin 2007-2008 në ndeshjet e Serisë A ka humbur katër takime në 17 ndeshjet e zhvilluara në shtëpi deri tani.
Super-“Djajtë”, Super-Ronaldo
Mançesteri hodhi një hap të madh drejt titullit kampion pasi shkatërroi 4-1 Uest Hamin përballë 76 103 tifozësh, që ishte njëherësh edhe rekordi sezonal i spektatorëve. 84 pikë për Mançesterin, tri më shumë se Çelsi (81), por me një ndeshje më pak. Kristiano Ronaldo, lojtari më i mirë i vitit në kampionatin anglez, çeli serinë e golave, duke realizua në minutën e 3-të. “Ronaldo do të shënojë sërish, ai është një lojtar cilësor kundrejt kundërshtarëve të dobët”, -shkruhej në komentin live të ndeshjes në bbc.co.uk. Dhe pas njëzet minutash, në të 24’ , Ronaldo shënoi golin e 40-të sezonal dhe të 30-in në Premier Ligë. “Great Ronaldo” (Ronaldo i madh), - ishte komenti i prestigjiozes “BBC”. Çfarë ndeshje: 3 gola në 6 minuta, Ronaldo në të 24’ (2-0), Tevez në të 26’ (3-0) dhe Ashton në të 28’ (3-1). Një mrekulli në “Teatrin e ëndrrave”. Në “Old Trafford”. Për të ndezur atmosferën shërben edhe kartoni i kuq i Nanit të Mançesterit në të 27’. 45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 3-1, ndërsa të dytat mjaftohen vetëm me një gol të Karrik në minutën e 59-të. Nëse “Djajtë e kuq” do të fitojnë të dielën edhe ndaj Uiganit, atëherë do të shpallen kampionë të Anglisë, edhe sikur Çelsi të fitojë dy takimet e mbetura dhe kampionati të mbyllet nga dy ekipet me pikë të barabarta. Vendos golaverazhi.
5 Maj 2008