E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fiton” media, kishte “fiksuar” rezultatet



Tirana-Dinamo 1-2. Besa-Partizani 0-1. Fitore të kryesueseve në transfertë. Të paralajmëruara nga media: të dyja “2”. Sërish dy pikë diferencë midis dy rivalëve të mëdha, kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i sezonit. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se enigma do të zgjidhet në javën e 33-të. Kur dy favoritët do të përplasen në një 90 minutësh për “jetë a vdekje”. Partizani për të fituar titullin e 16-të pas 15-vjetësh pritje, Dinamo për t’i dhënë presidentit Besnik Sulaj trofeun e dytë, pas atij të fituar në Shkodër me Vllazninë në sezonin 2001-2002.
E PARALAJMËRUAR - Fitorja e Dinamos ishte paralajmëruar, kur kundërshtari i shkurorëzuar e “kopjoi” stilin e saj. Ndryshimi i vetëm: Dinamo toleroi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë me Vllazninë (humbi 4-0, 3-0), ndërsa Tirana (finaliste e Kupës me shkodranët) toleroi në kampionat. Trajneri Mema ruajti titullarët për finalen e Kupës, më 7 maj në Elbasan. Në “Ruzhdi Bizhuta” gjykon gjyqtari i tretë më i mirë në botë, çeku Ljubo Mishel. Ndoshta e ka marrë ndonjë “info” se Tirana ka katër donatorë, të cilët kanë shpenzuar 1 milion dollarë për sezonin më të shëmtuar të tyre.
XHAFAJ- Dy penallti të dhëna në Tirana-Dinamo, nga një për çdo skuadër, por ajo e ekzekutuar nga Kuli () rezultoi edhe goditja fatale që prodhoi edhe fitoren e Dinamos, ndaj një formacioni të dorës së dytë të kampionëve në fuqi. Daniel Xhafaj goditi shtyllën në pingule në minutën 15-të duke paralajmëruar Kotorin, të cilin e mposhti 35 minuta më pas nga pika e bardhë, në të 50’, pas prekjes së topit me dorë nga kroati Goran Graniç.
PIKA E BARDHË - Pero Pejiç realizoi një eurogol në të 60’ (1-1), për t’ia lënë radhën Bekim Kulit në minutën e 73-të. Shqiptaro-kroati Lekë Kçira preku topin me dorë dhe gjyqtari Peza nuk hezitoi të akordonte penalltinë e dytë në këtë takim. Kavajasi Kuli, si gjithmonë i pagabueshëm: 1-2. Dinamo merr frymë. Ruan vendin e parë.
DY HYMBJE -Tirana pësoi humbjen e dytë rresht me të njëjtin rezultat në dy derbit me rivalët e përjetshëm: 2-1 me Partizanin në “Qemal Stafa” një javë më parë, dhe më të njëjtat shifra u mposht nga Dinamo në “Selman Stërmasi”, që morri revanshin ndaj humbjes së fazës së parë me shifrat 2-0. Në mes një barazim i thatë: 0-0.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 30
03.05.2008

Tirana-Dinamo 1-2
Besa-Partizani 0-1
Vllaznia-Skënderbeu 2-1
Elbasani-Besëlidhja 3-0
Shkumbini-Teuta 3-0
Flamurtari-Kastrioti 1-0

Renditja
1. Dinamo 30 61
2. Partizani 30 59
3. Besa 30 50
4. Elbasani 30 47
5. Tirana 30 46
6. Vllaznia 30 45
7. Shkumbini 30 44
8. Flamurtari 30 38
9. Kastrioti 30 32
10. Teuta 30 31
11. Besëlidhja 30 28
12. Skënderbeu 30 11

KATEGORIA E PARE
Java 32
Pogradeci – Apolonia 0-1
Bilisht – Lushnja 0-2
Erzeni – Sopoti 3-0
Dajti – Bylis 1-1
Gramshi - Luftëtari 0-2
Naftëtari-Skrapari 2-1
Tomorri – Burreli 0-1
Tepelena - Turbina 0-1
Laçi – Ada 4-0

Marshim i kuq drejt titullit

Partizani ruajti të pandryshuar diferencën (-2 pikë) me Dinamon kryesuese falë mbrojtësit Rrahman Hallaçi, i cili krijoi një supergol kundër Besës (0-1), në minutën e 27-të takimit.
Të kuqtë pas pengesës agresive “Tirana”, kalojnë në sprintin final edhe atë “Besa”, për të shkuar me moral të lartë në dy sfidat me Vllazninë e Skënderbeun. Skuadra e Likës, që ka vuajtur jo pak me Besën në këtë sezon (humbi 2-1 në fazën e parë, 3-3 në të dytin) ia doli t’i imponohej me meritë kundërshtarit në shtëpinë e tij. Mesfushori i Kombëtares, Elis Bakaj pati më shumë se një rast për të dyfishuar me kavajasit, të cilët rrezikuan disa herë, por Orges Shehi ishte në një nga ditët më të mira të tij. Tashmë, nuk ka asnjë dyshim se skuadra e Likës shkon më kompakte drejt titullit. Momenti erdhi. Shampanja është porositur.
ELBASANI – Formacioni i Krenar Alihmetit u tregua i pamëshirshëm ndaj Besëlidhjes: 3-0. Golat mbajnë firmat e Skerdi Bejzades (10'), Fjodor Xhafës (68') e Nikola Karçevit (73'). Më këtë fitore Elbasani këmbeu vendet me Tiranën, dhe tashmë ndodhet në vendin e katërt.
SHKUMBINI- Fitorja është e gjitha për trajnerin Gugash Magani, i cili pikërisht të shtunën humbi nënën e tij. 3-0 për peqinaset kundër Teutës. Klevis Dalipi (33'), Ilir Qorri (53') dhe Arlind Nora (80') janë autorët e tripletës peqinase, që e çuan Shkumbinin në kuotën e 40 pikëve. Teuta nga ana e saj duhet t’i falet humbjeve të Kastriotit në Vlorë me Flamurtarin (1-0, Denis Mema në të 17’) dhe Besëlidhjes në Lezhë. Sidoqoftë skuadra durrsake ndodhet në “zonën e parangrirjes”.
VLLAZNIA – Goli i anuluar i Shtubinës të Skënderbeut në minutën e fundit të takimit i dha fitoren e çmuar Vllaznisë (2-1), që vinte në ballafaqimin me korçarët me mendjen tërësisht te finalja e Kupës. Sukaj (31’) e Raboshta në të 83’ (goli i tij i dytë sezonal) realizuan për shkodranët, ndërsa për Skënderbeun, që pësoi humbjen e 25-të në 30 javë finalizoi Thana (47’).

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›