Bima që të qetëson në këtë stinë nga dhimbjet e kokës
Ndryshimi i temperaturave është një ndër shkaqet kryesore në lindjen e çrregullimeve të organizmit dhe në qarkullimin e gjakut. Përveç këshillave të rekomanduara nga mjekët për mënyrën e shmangies së këtyre problemeve, në ndihmë vjen edhe mjekësia popullore me çajrat e përgatitur me bimë kuruese. Bima e kufilmës ose Lulevathit është një prej bimëve më të njohura që ndihmojnë në qarkullimin sa më të mirë të gjakut, si dhe ndihmon në funksionimin e mirë të zemrës. Në rrahjet e shpejta të saj, çaji i kufilmës ka dhënë rezultate shumë të mira. Mjekët këshillojnë pirjen e dy gotave çaji në ditë. Edhe për qetësimin e dhembjeve shumë të shpeshta të kokës këto ditë te kushdo, si pasojë e diellit të fortë, kjo bimë është mjaft e mirë. Në këtë rast këshillohet pirja e menjëhershme e çajit të ëmbëlsuar.
Bima
Kufilma ose lulevathi është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në livadhe e vende të freskëta. Bima arrin deri në 1 metër lartësi. Gjethet i ka të ashpra, në formë vezake të zgjatur. Lulet janë në ngjyrë blu, por mund të shfaqen edhe në ngjyrë të verdhë të çelët, të renditura njëra pas tjetrës gjatë degëzimeve të bimës. Periudha e lulëzimit të kufilmës është muaji maj deri në korrik. Lulevathi është e pasur me lëndë vepruese, siç janë lëndët jargëzuese, esenca dhe taninet, alkooloide të ndryshme, si dhe alantoina dhe kalcium të lidhur me komponentë organikë.
Përdorimi
Në sajë të këtyre përbërësve, çaji i përftuar nga rrënjët e grimcuar dhe të thara të bimës, me mjaft sukses përdoret edhe në sëmundjet kronike të kyçeve dhe kockave. Për të lehtësuar dhimbjet, nevojitet një gotë çaj dhe rezultati do të jetë i shpejtë. Për qetësimin e kollës dhe kur ajo është e shoqëruar me sekrecione kufilma është mjaft e domosdoshme. Në sajë të elementëve përbërës, bëhet e mundur lëngëzimi i sekrecioneve dhe largimi i tyre gjatë kollitjes. Për të larguar kollën, që shoqëron sëmundje e ndryshme, bima përdoret për të qetësuar dhimbjet dhe ndihmon në ripërtëritjen e indeve të dëmtuara dhe shërimin e plagëve. Larja e herëpashershme e plagëve, dhe në rastet kur ato janë të qelbëzuara, do të sillte shërim të shpejtë të saj. Por përpara përdorimit të kësaj kure, këshillohet konsulta me mjekun. Me sukses mjekët popullorë e kanë përdorur bimën për bërjen e masazheve në rastet e ndrydhjeve dhe thyerjeve të kockës.
Vetitë
Në sajë të lëndëve vepruese që kufilma ndikon në qarkullimin e gjakut dhe ka veprim të lehtë laksativ. Po të përdoret nga jashtë qetëson dhimbjet dhe ndihmon në ripërtëritjen e indeve të dëmtuara dhe në shërimin e plagëve. Në sajë të këtyre vetive këshillohet si mjet zbutës, si dhe kundër pezmatimeve dhe etheve. Këshillohet edhe si laksativ, edhe si mjet kundër kollës dhe zbutës kundër shtimit të gëlbazave në rrugët e frymëmarrjes. Rrënjët e kufilmës përdoren edhe nga jashtë në formë llapash në rastet e çrregullimeve të qarkullimit të gjakut, në pezmatimet e venave, në sëmundje kronike të kyçeve dhe kockave, në pezmatime të muskujve dhe të tendinëve, në ngërçe të venave, veçanërisht në plagë të hapura. Në sajë të kalciumit dhe të alantoinës (hemostatike, qetësuese dhe cikatrizuese), më parë është përdorur në thyerjet e kockave.
Çaji
Për të përgatitur çajin nevojiten 1-2 lugë kafeje me rrënjë kufilme të copëtuara, të cilat hidhen në një enë të zinkuar, ku shtohet një gotë me ujë. Përmbajtja zihet 5-10 minuta dhe lihet në qetësi për 1/2 orë, pastaj kullohet dhe lëngu pihet i ëmbëlsuar ose jo, sipas dëshirës. Gjatë ditës mund të merren 1-3 doza të tilla. Bima përdoret edhe në formë pluhuri; pihen 1-3 lugë çaji me pluhur të rrënjëve me pak ujë. Çaji që përdoret nga jashtë përgatitet më i fortë dhe konkretisht duke zierë 4-5 lugë kafeje me rrënjë të copëtuara në 1 gotë me ujë. Në çajin që përdoret për mjekimin e plagëve këshillohet të hidhet më tepër sasi të bimës së grimcuar. Për kurim përdoren rrënjët e thara të bimës.
Rekomandime
Për qetësimin e dhembjeve shumë të shpeshta të kokës këshillohet pirja e dy gotave çaj kufilme në ditë
Në rrahjet e shpejta të saj, çaji i kufilmës ka dhënë rezultate shumë të mira
Çaji i përftuar nga rrënjët e grimcuar dhe të thara të bimës, me mjaft sukses përdoret edhe në sëmundjet kronike të kyçeve dhe kockave
Për të lehtësuar dhimbjet, nevojitet një gotë çaj dhe rezultati do të jetë i shpejtë
Mjekët popullorë e kanë përdorur bimën për bërjen e masazheve në rastet e ndrydhjeve dhe thyerjeve të kockës
Në sajë të lëndëve vepruese që kufilma ndikon në qarkullimin e gjakut dhe ka veprim të lehtë laksativ
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca/ Studimi, tastierat mund të jenë burim infeksioni
Një studim i realizuar nga disa ekspertë anglezë të revistës për mbrojtjen e klientëve, “Which?”, ka treguar se tastiera mund të jetë burim infeksioni nëse nuk pastrohet mirë. Gjatë këtij studimi në pjesë të ndryshme të tastierës janë gjetur baktere shumë më tepër sesa në tavolinën ku vendoset tastiera. Ndërsa sipas këtyre ekspertëve bëhet fjalë për një rrezik të lartë nga infeksioni. Ngrënia afër tastierës, pluhuri dhe moslarja e duarve, sjell deri te grumbullim i llojeve të ndryshme të baktereve në tastierë. Ekspertët, në bashkëpunim me mikrobiologët, kanë analizuar më shumë se 30 tastiera nga zyra të ndryshme. Disa prej tyre kanë qenë pa baktere falë regjimit të pastërtisë, ndërsa të tjerat kanë përmbajtur baktere të cilat i rrezikonin përdoruesit e tyre për të fituar sëmundje gastrointestinale.
5 Maj 2008