E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani optimist: “Në Hungari të guxojmë për fitoren”

"Shpresoj të jem gati për ndeshjen kundër Volsburgut". Duket se gjithcka po fillon të ecë në drejtimin pozitiv për sulmuesin e Karlsuhes, Edmond Kapllani, pas dëmtimit në muskujve të kofshës të majtë.
"Jam stërvitur i vecuar nga ekipi, duke bërë vrapime nën kujdesin e fizioterapistit Stefën Viemen", - tha nga Gjermania për "Albania-sport.com", sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili me 5 golat e tij në fushatën kualifikuese të Euro 2008, mban edhe rekordin të golave për një edicion zyrtar.
Autori i 17 golave kur Karlsruhe luante në Bundesliga 2 humbi të dielën mundësinë për të luajtur kundër Shtutgardit në Bundesligën 1 (Karlsruhe humbi 3-1), teksa të njëjtin fat ka dhe në Kupën e Gjermanisë, kur të mërkurën ekipi i tij do të luajë kundër Kickers Offenbah.
"E rëndësishme është që po përmirësohem shpejt. Kjo më bën optimist, pasi shpresoj të kem minutat e mia në ndeshjen kundër Volfsburgut në fundjavë", - shton durrsaku.
Tema e Kombëtares është edhe pika e "nxehtë" e intervistës me ish-sulmuesin e Partizanit. Të qenit e Shqipërisë në krye të grupit 1 me pikë të barabarta me Suedinë e Danimarkën, por përpara dy kundërshtarëve të radhës, Hungarisë e Portugalisë, Kapllani e shikon si një faktor pozitiv që mund të ndikojë shumë pozitivisht.
"Hungaria është një mundësi e mirë për të marrë pikët e radhës. Nuk besoj se kemi diferenca të mëdha në individualitete. Tre pikë të plota në Budapest nuk ka arsye që të mos i marrim ", - thotë autori i golit të dytë në miqësoren 2-0 të fituar me Lihtenshtejnin, por që nuk mundi të luante asnjë minutë në sfidat zyrtare kundër Suedisë e Maltës.
"Kemi një grup të mirë për të arritur suksesin, kështu që do të besoja edhe për ndonjë surprizë me Portugalinë. Kualifikimi në Botëror? Është bukur të ëndërrosh. Jemi ende në vend të parë...", - perfundon autori i 6 golave kuqezi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›