Kapllani rigjen golin dhe fitoren Berisha, protagonist me dy asiste
Lajme të mira për legjionarët shqiptarë në Europë vijnë këtë fundjavë nga Bundesliga 2. Edmond Kapllani zhvilloi dje ndeshjen e tij të 12 si titullar për TuS Koblenc. Ndaj Paderbornit shqiptari realizoi një gol, i cili vlejti për fitoren e skuadrës. Kapllani shënoi në minutën e 69 pas një krosi në zonë nga ekzekutimi i një goditjeje këndi, duke barazuar provizorisht rezultatin. 5 minuta më vonë Gunkel vulosi fitoren me golin e shënuar. Për Kapllanin ky ishte goli i tretë me Tus Koblenc, prej ardhjes së tij në janar. Ervin Skela nuk u aktivizua, ndërsa shqiptari tjetër Enis Alushi luajti 62 minuta si titullar. Shkëlqen edhe Besart Berisha në ndeshjen e tij të parë si titullar me Arminia Bielefeld, duke dhuruar dy asiste për ekipin e tij në fitoren 2-1 në shtëpi ndaj FSV Frankfurtit. Sulmuesi gjatë gjithë sezonit është aktivizuar vetëm si zëvendësues nga trajneri i Arminias.
#